Plagoset i sapo-punësuari në minierën e bakrit në Munellë
PUKË – Sërish një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur në sektorin minerar të vendit tonë. Kësaj radhe ka mbetur i lënduar shtetasi Florian Prenga, 22 vjeç nga Puka, teksa po punonte në minierën e bakrit në Munellë. Burimet zyrtare të policisë pohojnë se aksidenti ndodhi të hënën në mbrëmje. 22-vjeçari ndodhej në një nga galeritë e bakrit në Munellë, të marrë me koncesion nga kompania turke Ber-Oner. Sipas tyre, i lënduari është dërguar me urgjencë drejt spitalit të Pukës, dhe pas trajtimit mjekësor, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mjekët pohojnë se i aksidentuari ka pësuar thyerje në dorën e djathtë. Burimet shtojnë se Floriani kishte dy muaj që ishte punësuar në minierën e bakrit dhe nuk kishte eksperiencën dhe trajnimin e nevojshëm për të punuar në fronte të tilla pune. Njoftohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të pakujdesisë së minatorit.
Punonjës të minierës së Munellës thonë se edhe pas protestave që kanë bërë, kompania koncensionare Ber–Oner nuk ka realizuar kërkesat. Pak javë më parë ishte në Pukë edhe ministri i Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, i cili kërkoi që të ngrihej një qendër për shërbimin mjekësor të minatorëve. Miniera e bakrit të Munellës ndodhet shumë larg qendrave urbane si Fushë Arrëzi dhe Puka, gjë që vështirëson dhënien në kohën e duhur të ndihmës mjekësore në raste aksidentesh. Pesë ditë më parë ndodhi një aksident i ngjashëm në Tropojë, ku u plagosën rëndë 3 minatorë në një minierë kromi, e marrë me koncesion nga një kompani private. Viktimat më të shumta janë shënuar në Bulqizë. Përgjatë një periudhe 14 mujore kanë gjetur vdekjen 9 persona dhe janë plagosur me dhjetëra të tjerë.
16 Prill 2008