Akademikët në pension, 50 mijë lek në muaj shpërblim
Jonida Tashi
Të gjithë akademikët që kanë dalë në pension në bazë të vendimit më të fundit të qeverisë do të shpërblehen me 50 mijë lek të reja në muaj nga qeveria. Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, ka sqaruar dje për gazetën “Albania”, se ky vendim është marrë në datën 27 mars të muajit të kaluar për të vlerësuar punën e tyre ndër vite në këtë institucion. Por, marrja e këtij shpërblimi nuk ua heq të drejtën e pensionit akademikëve, pasi përveç pensionit ata do të jenë përfitues edhe të shpërblimit prej 50 mijë lekësh të reja në muaj që do të jetë i përhershëm. Përveç këtij përfitimi, Gudar Beqiraj, ka theksuar se disa nga akademikët mbi 75-vjeç do të jenë sërish anëtar të rregullt të Akademisë së Shkencave, madje mund të zgjidhen edhe kryetar të saj. “Me ligjin e ri, akademikëve mbi 75-vjeç u krijohen mundësi të mëdha për të botuar libra të ndryshëm, për të organizuar konferenca etj. Këto janë vendime që qeveria i ka ndërmarrë për të vlerësuar punën që ata kanë bërë”,- shprehet Beqiraj.
Komisioni Përzgjedhës
Në bazë të ligjit të ri, që u miratua në 26 dhjetor 2007 në një nga dispozitat kalimtare të këtij ligji është përcaktuar që për përzgjedhjen e akademikëve të rinj, do të ngrihet një komision për të zgjedhur këta akademik. Komisioni Përzgjedhës përbëhet nga nëntë anëtar, katër prej të cilëve janë akademik shqiptar nën moshën 75-vjeç dhe pesë janë personalitete shkencore të huaja. Katër personalitetet shqiptare ka për detyrë ti përzgjedh Kryesia e Përkohshme e Akademisë. Po ashtu, kjo kryesi përzgjedh një prej këtyre anëtarëve si kryetar të Komisionit Përzgjedhës. Ndërsa pesë personalitetet e huaja propozohen nga Komiteti i Arsimit të Lartë dhe Shkencës (KALSH) dhe ministri i arsimit miraton pesë personalitetet e huaja. Gudar Beqiraj ka bërë të ditur se të nëntë anëtarët janë përcaktuar tashmë me vendim qeverie. Ai ka sqaruar se vendimi për krijimin e këtij Komisioni Përzgjedhës doli në 27 mars 2008. Ndërkohë që pritet që ky komision të mblidhet brenda muajit prill ose në fillim të muajit maj. Por sipas Beqirajt, kjo varet nga mundësia që do të kenë personalitetet e huaja për tu mbledhur në Tiranë për të realizuar takimin e parë të këtij komisioni. Gudar Beqiraj sqaron se në këtë takim do të përcaktohen fushat nga do të përzgjidhen akademikët e rinj, numrin për secilën fushë dhe kriteret për tu përzgjedhur. Por pavarësisht këtyre kritereve që pritet të përcaktohen nga Komisioni Përzgjedhës, kandidimi për tu bërë anëtar i akademisë së Shkencave do te jetë i hapur. Kjo do të thotë që çdo person që mban titullin profesor dhe është rreth moshës 50-70-vjeç mund të paraqesë dokumentet për tu përzgjedhur.
Sipas Beqirajt do të pranohen dosjet që plotësojnë kriteret dhe sipas fushave paraqitja e kandidaturave është hapur. Ndërkohë që pas përzgjedhjes dhe emërimit, 17 akademikët e rinj do të jenë anëtar të rregull të Akademisë.
Përzgjedhja
Akademia e Shkencave së shpejti do të plotësohet me 17 anëtarët e munguar të saj. Aktualisht, në këtë institucion kërkimor ka nisur puna për përzgjedhjen e akademikëve të rinj, të cilët do të zënë vendet e lëna vakante nga akademikët e vjetër që u përjashtuan nga ligji. Ndërkohë që do të jetë Komisioni Përzgjedhës, ai që do të përzgjedhë akademikët e rinj, që do të vijnë në Akademi. Në bazë të ligjit, këta akademikë për tu përzgjedhur duhet të kenë titullin “Profesor” si dhe duhet duhet të jenë njerëz me emër dhe zëra të fuqishëm. Ndërsa sipas kreut aktual të Akademisë, Teki Biçoku, në rradhët e Akademisë do të qëndrojnë vetëm akademikët që ndihen të fuqishëm. Për të plotësuar vendet vakante në Akademi fillimsht do të përcaktohen vendet bosh për të gjitha fushat në të cilat ka më shumë interes për kërkimin shkencor. Prioritet do të kenë shkencat shoqërore, albanalogjike si historia etj. Më pas, do të përcaktohen kriteret dhe mosha e kandidaturave duhet të luhatet midis 40-65 vjeç. Për të njoftuar të interesuarit do të bëhet një thirrje publike për të paraqitur kandidaturat. Të gjithë profesorët kanë të drejtë që të sjellin dokumentet për tu bërë anëtar të Akademisë. Ndërsa akademikët e “përjashtuar” kanë të drejtë të jenë vetëm anëtar të Asamblesë së Akademisë. Përzgjedhja e këtyre akademikëve do të bëhet nga Kryesia e Akademisë, por parasysh do të merret gjendja e tyre shëndetësore.
Gjeofizikani dhe akademiku Teki Biçoku do të qëndrojë në postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave deri në muajin tetor të këtij viti, brenda të cilit duhet të përfundojë dhe reformimi i Akademisë. Sipas ligjit, reformimi i Akademisë së Shkencave, duhet të përfundojë në muajin tetor. Ndërkohë pasi të mbarojë faza e reformimit do të realizohen zgjedhjet për Kryesinë e Akademisë së Shkencave. Kryesia e Akademisë përpara vetes ka një axhendë për reformimin e saj. Kjo axhendë është përcaktuar në mënyrë të qartë nga Komiteti i Reformimit të Akademisë, i cili drejtohet nga zëvendëskryeministri i vendit, Gazmend Oketa. Në këtë Komitet bën pjesë edhe ministri i Arsimit, Genc Pollo, dy akademikë nën moshën 75-vjeç dhe një profesor nga KALSH. Në këtë axhendë janë përcaktuar në mënyrë të qartë hapat që do të merren për reformimin e Akademisë.
Konflikti
Konflikti midis Akademisë së Shkencave dhe qeverisë nisi më 14 nëntor të vitit të kaluar, kur Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin e ri “Për Akademinë”. Shkrirja e instituteve kërkimore të Akademisë në muajin e fundit të vitit 2007 ishte kambana e parë që paralajmëroi se kjo Akademi do të shndërrohej. Reformimi i Akademisë së Shkencave ngjalli një debat të madh midis akademikëve dhe qeverisë pak kohë më parë, kur qeveria solli në Kuvend ndryshimet në ligjin e parë që ishte miratuar, por që ishte bllokuar për shkak të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Fillimisht, debati u përqendrua në kriterin që vendosej në draft, i cili përcaktonte moshën 70 vjeç si kufirin kur përfundonte anëtarësia në Akademi. Pas kundërshtimit të akademikëve dhe të opozitës, kjo moshë u caktua 75-vjeç dhe u përcaktuan 10 vende për anëtarët e përhershëm të Akademisë së Shkencave. Ditën kur në Parlament u miratua ligji, debati u përqendrua edhe në zgjedhjen e Rexhep Meidanit në krye të Akademisë, i cili nuk u aprovua nga maxhoranca me pretendimin se ai nuk ishte zgjedhur me votat e duhura.
Anëtarët e Komisionit Përzgjedhës
Gudar Beqiraj, kryetar
Jani Thomai, anëtar
Farudin Hoxha, anëtar
Dhimitër Haxhimihali, anëtar
Prof.Dr. Francesco Altimari, anëtar
Prof. Dr. Azedine Beschaouch, anëtar
Prof. Dr. Franz Hofmann, anëtar
Prof. Dr. Ealter Hoflechner, anëtar
Prof. Dr. Sandro De Maria, anëtar
Akademikët që u është hequr e drejta e votës
1.Shaban Demiraj
2.Hamit Beqja
3.Kristo Frashëri
4.Zija Xholi
5.Mentor Përmeti
6.Bajram Preza
7.Vladimir Misja
8.Arben Puto
9.Luan Omari
11.Kristaq Prifti
12.Ylli Popa
13.Teki Biçoku
14.Jorgo Bulo
15.Andromaqi Gjergji
16.Alfred Uçi
17.Petraq Pilika
18.Dritëro Agolli
19.Teki Tartari
16 Prill 2008