E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: “Mjekët po i kthejnë në monopole spitalet”

Ministri lëshon akuza të rënda një ditë pas protestës. Sipas kreut të shëndetësisë mjekët po shfrytëzojnë situatën

Emanuela Sako

Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka akuzuar drejtpërdrejtë mjekët për krijim monopolesh. Akuzat vijnë një ditë pas protestës së mjekëve në QSUT dhe rrethe, për shkak të plagosjes së kolegut të tyre Refatllari, nga një i afërm i ish-pacientit të tij. Sipas ministrit Ndoka mjekët po shfrytëzojnë situatën për përfitime personale. Kjo është edhe arsyeja që ata kërkojnë të ndërhyjnë në vendimmarrje, pasi kërkojnë të kënaqin interesat personale. Kështu, ky është debati i parë që është hapur mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe bluzave të bardha. Ndoka akuzon direkt shefat e shërbimeve se e kanë kthyer spitalin në monopol të tyre. Megjithëse ankesat e qytetarëve nuk kanë të sosur, kjo është hera e parë që Ministria po i merr parasysh, duke sulmuar ashpër gjendjen dhe punën e mjekëve në spitale. Gjithçka, ka ardhur pas bojkotit një orësh të punës dhe pezullimit të të gjitha vizitave dhe pezullimit të operacioneve. “Ky qëndrim i qartë dhe konseguent i Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka të bëjë me fushatën spekullative dhe denigruese që ditët e fundit kanë ndërmarrë ndaj sistemit shëndetësor disa individë e grupe interesi”,thuhej në një deklaratë të ministrisë së shëndetësisë, ditën e protestës së mjekëve.
Financimi
Kjo është hera e parë që Ministri i Shëndetësisë del hapur kundër një pjese profesorësh, që sipas tij kanë lënë spitalin më të madh të vendit në këtë gjendje. Nga ana tjetër, Ndoka ka pranuar se sistemi i shëndetësisë është i nënfinancuar, por shtimi i buxhetit për këtë sektor, kërkon një marrëveshje politike pozitë-opozitë. Për më tepër, problematika në spitale është tepër e vështirë. Mungesa e medikamenteve dhe aparaturave është bërë shkak për shumë ankesa të qytetarëve dhe për uljen e vrullit të punës nga mjekët. Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka bërë tenderat me firmat për këtë vit, në mënyrë që të bëhet furnizimi i spitaleve me barna. Problemi i barnave është bërë tepër problematikë gjatë këtij fillimviti.
Shkaku
Kjo deklaratë e Ministrit Ndoka vjen tre ditë pas protestës së mjekëve, të cilët paraqitën edhe një numër kërkesash dhe ankesash për gjendjen në spitale. Të mbledhur në mjediset e jashtme të QSUT-së, mjekët kërkuan rritjen e sigurisë në punë, hartimin e një statusi të veçantë për mjekët e QSUT-së, dyfishimin e pagave, etj. Ata pretenduan se sistemi shëndetësor është më i pareformuari. Po kështu, një ndër kërkesat më të rëndësishme, që e vështirëson shumë punën e mjekëve, ishte që shteti duhet ti japë fund mungesave të medikamenteve dhe aparaturave në QSUT. Në këtë qendër spitalore është bërë e zakonshme që të mungojnë medikamente të shumta dhe aparaturat ose mund të mungojnë ose janë jashtë funksionimit. Kjo bën që mjekët të jenë të detyruar që të mos e bëjnë siç duhet punën e tyre. Madje, ata nuk e kanë përjashtuar edhe ekzistencën e korrupsionit në shëndetësi, por që e justifikojnë me faktin e pagave të ulta dhe kushteve të këqija në të cilat mjekët punojnë. Mjekët janë rebeluar për shkak të plagosjes me thikë në shpatull, të mjekut Ali Refatllari, 5 ditë më parë. Agresori e ka qëlluar dy herë në shpinë dhe i ka shkaktuar prerje të indeve të dorës. Ndërkohë që, mjekët kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve, pasi figura e mjekëve po përbaltet. Tashmë mjeku i Kardiokirurgjisë ndodhet ende i shtruar në kirurgji dhe jashtë rrezikut për jetën.

16 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›