E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia, prezanton sot, programin prej 2 milion eurosh për fëmijët e braktisur



Kooperacioni italian për Zhvillim dhe Rajonet Italiane do të nisin një program prej 2 milion eurosh për të ndihmuar fëmijët e braktisur në Shqipëri. Në kuadrin lokal, veprimet e para pilote për fuqizimin e shërbimeve sociale dedikuar të miturve, do të bëhen në zonat e Elbasanit, Shkodrës dhe Vlorës. Për këtë ditën e sotme në orën 9.00 deri në 12.30, pranë Hotel Rogner Europark në Tiranë, do të mbahet takimi i prezantimit të programit të bashkëpunimit të decentralizuar “Mbështetje në favor të politikave për të miturit”, realizuar nga Komuna e Forlì-së në bashkëpunim me Ministrinë e Punës. Bëhet fjalë për një ndërhyrje të rëndësishme me vlerë prej 2 milionë Euro, financuar 75 për qind (1.503.400,00 Euro) nga Kooperacionit italian për Zhvillim i Ministrisë së Jashtme italiane. Pjesa e mbetur, do të akordohet në mënyrë të barabartë nga rajonet italiane Emilia Romagna, Marche dhe Puglia. Në konferencën e inaugurimit të programit, do të jenë të pranishëm Ministri shqiptar i Punës, Koço Barka, dhe Ambasadori italian në Shqipëri, Saba D’Elia, si dhe përfaqësues të Rajoneve italiane të përfshira në këtë pogram si dhe bashkitë shqiptare që do të jenë objekt i kësaj ndërhyrje. Një iniciativë e tillë ka për qëllim tju asistojë institucioneve shqiptare për përmirësimin e kushteve të jetës dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve të braktisur, në rrezik për vështirësi sociale. Gjatë takimit do të prezantohet dhe përmbajtja e projektit, që do të mbështesë kushtetutën e një Forumi ndërministror të Fëmijës dhe forcimin e Komitetit Kombëtar për Adoptimet. Janë parashikuar gjithashtu, module trajnues për funksionarët e administratës qendrore dhe lokale, punonjës socialë dhe personel gjyqësor, kompetentë në fushën e adoptimeve, së bashku me aktivitetin e kërkimit, mbledhjes dhe analizimit të të dhënave mbi praninë dhe karakteristikat e fëmijërisë në Shqipëri.

16 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›