Eksploziv natën lokalit në Lundër, masakrohet roja
Një sasi eksplozivi shpërtheu në orët e para të mëngjesit të djeshëm në ambientet e një lokali në fshatin Lundër të Tiranës.Persona të paidentifikuar kanë rrahur rojën e lokalit duke e lënë pa ndjenja dhe më pas janë futur brenda dhe kanë vendosur një sasi prej rreth 100 gramësh tritol te banaku. Lënda eksplozive ka shpërthyer vetëm disa minuta më pas, duke shkaktuar dëme materiale pa pasoja në njerëz. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00 të mëngjesit të djeshëm, në lokalin në pronësi të Krenar Tufës, i cili është kushëriri i Lavdërim Tufës, i akuzuar për vrasjen e Fatmir Ramës, i njohur si Miri i Xhikes. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forca të policisë nga Komisariati Nr. 1, oficerë të Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë, si dhe ekspertë kriminalistë dhe xhenierë. Gjatë orëve të para të mëngjesit është bërë këqyrja e vendit ku ndodhi shpërthimi dhe sipas policisë, ngjarja ka shkaktuar vetëm disa dëme materiale. Sipas këqyrjes në vendngjarje, eksplozivi ka shkatërruar banakun dhe pajisjet që ndodheshin brenda tij. Policia ka marrë deklarimin e rojës së lokalit, Besim Husha, i cili është rrahur nga autorët para se ata të futeshin brenda për të vënë eksplozivin. Dëshmia e tij nuk i kanë dhënë ndonjë ndihmë grupit hetimor për identifikimin e autorëve, pasi Husha pretendon se ata e kanë kapur në befasi dhe për shkak të errësirës nuk ka mundur të fiksojë asnjë tipar të tyre. Më pas ai ka humbur ndjenjat dhe vetëm kur është përmendur ka kuptuar se çfarë ka ndodhur.
Hetimet
Policia e Tiranës ka ngritur disa pista hetimore në lidhje me shpërthimin e eksplozivit në lokalin e Krenar Tufës, në fshatin Lundër të komunës Farkë. Paraprakisht dhe nga mënyra se si është transmetuar informacioni në sallën operative, është dyshuar se ngjarja kishte ndodhur për motive grabitjeje, por pasi janë kryer verifikimet në vendin e ngjarjes, ka rezultuar se autorët nuk kishin vjedhur asgjë. Një pistë tjetër hetimore është ajo e ndonjë konflikti të mundshëm pronësie, që pronari i lokalit, Krenar Tufa, mund të ketë për truallin ku është ndërtuar lokali, edhe pse gjatë marrjes në pyetje ai pretendon se lokali është pronë e tij dhe e ndërtuar në pronën e tij. Nga ana tjetër, policia po verifikon edhe ndonjë konflikt të mundshëm personal që mund të ketë Tufa, apo roja i lokalit, Besim Husha, i cili është bërë dhe objekt i dhunës fizike që autorët kanë ushtruar ndaj tij.
Policia
Një pistë e grupit hetimor në lidhje me shpërthimin në lokalin e Krenar Tufës, edhe pse nuk është e para në listë, ka të bëjë me lidhjen e gjakut që pronari ka me Lavdërim Tufën. Tufa është akuzuar për vrasjen e Mirit të Xhikes, ngjarje e ndodhur më 29 mars të vitit 2003, në kompleksin në pronësi të tij te Kartodromi. Sipas policisë, edhe kjo pistë është në verifikim e sipër.
ETLEVA DELIA