E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja e ushtareve Thaci denon dhunen ne veri

Pak orë pas nisjes së operacionit për largimin e barrikadave, misioni Evropian për sundim të ligjit EULEX ka bërë të ditur se ky është një operacion i përbashkët me KFOR-in që ka për qëllim rivendosjen e lirisë së lëvizjes në veri të Kosovës. 

“Barrikadat u larguan dhe u vendosën pika të kontrollit për automjete dhe postblloqe. Këto veprime janë ndërmarrë afër Pikëkalimit 31 si dhe në zonën e Zubin Potokut.Qëllimi i përgjithshëm është që të përmirësohet gjendja e sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës. EULEX-i i ndaloi për një kohë të shkurtër disa persona afër Pikëkalimit 31, por ata u liruan më vonë. Janë shënuar disa incidente të vogla”, thuhet në një njoftim të lëshuar nga ky mision. EULEX-i u ka bërë thirrje qytetarëve që ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë sundimin e ligjit, të cilën gjë sipas këtij misioni e presin të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

Ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, por jo me paraqitjen e tij para gazetarëve sic ndodhte në aksionet e kaluara, por përmes një komunikate. Thaçi vlerëson se operacioni për largimin e barrikadave dhe lirimin e rrugëve në veri është në kuadër të përkushtimeve institucionale të Republikës së Kosovës për të garantuar lirinë e plotë të lëvizjes, vendosjen e rendit dhe ligjit, për të krijuar siguri, paqe, integrim dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në pjesën veriore të vendit.
Kryeministri ka ftuar të gjithë qytetarët në pjesën veriore të Kosovës për qetësi, për bashkëpunim të plotë, pasi konsideron se këto angazhime janë në interes të vetë qytetarëve të asaj pjese të territorit të Kosovës, në interes të hapjes së perspektivës zhvillimore, jetës së qetë, të sigurtë, hapjes së vendeve të reja të punës dhe rritjes së investimeve të gjithanshme institucionale në veri.
 
Qeveria e Kosovës po ashtu vlerëson përkushtimin e vazhdueshëm të forcave të KFOR-it dhe EULEX-it, që në kuadër të mandatit të tyre, po përmbushin angazhimet për vendosjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pjesën veriore të vendit.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Thaçi dënon dhunën e ushtruar mbi ushtarët e forcës paqeruajtëse të KFOR-it nga ana e pjesëtarëve të strukturave kriminale në veri, dhe shton se përshkallëzimi i dhunës nuk është në interes të askujt”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Thaçi.

Bul Salihu

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›