E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosjet për zhurmën, sherri me djalin e pronarit të bilardos

08/03/2012  Policia: Arrest 2 autorëve të 4 plagosjeve në Kinostudio. Të dehur përplasnin stekat.

TIRANË- Përplasja e fortë e stekave nga lojtarë bilardoje ndezi shkëndijën e ngjarjes së rëndë, ku u plagosën 4 të rinj. Djali i pronarit të bilardos fillimisht u kërkoi atyre të mbanin qetësi, por autorët e dehur nisën sherrin me grushte, duke u kthyer më pas me kallashnikov dhe qëlluan mbi personat që ndodheshin në bilardo. Detajet i bëri të ditura dje zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini, e cila njoftoi se autorët janë arrestuar. Në njoftimin për shtyp thuhet se gjithçka nisi pardje rreth orës 22.40’, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, në Kinostudio, Tiranë, në ambjentet e një pike lottoje dhe bilardo. Aty ka ndodhur një konfikt ku si pasojë janë plagosur me armë zjarri shtetasit Erald Bani, 21 vjeç, Oltion Shehu, 25 vjeç, Ardit Buxheli, 18 vjeç dhe Eldi Skadrina 25 vjeç, të cilët u dërguan menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve. Në vendin ngjarjes shkuan menjëherë, Oficerë të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Ekspert Kriminalistë, të cilët bënë të mundur sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke mbledhur dhe administruar provat. Për hetimin e kësaj ngjarjeje, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, si dhe drejtuesve të policisë së kryeqytetit.

Shkaku për nisjen e sherrit

Nga hetimet e kryera deri më tani, nga Specialistët e Seksionit kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit në bashkëpunim me komisariatin Nr.4, u konkludua se autorët e kësaj ngjarjeje, në gjendje të dehur kanë qenë duke luajtur bilardo dhe pikërisht përplasja e fortë e stekave ka shërbyer si shkak për t’u grindur me djalin e pronarit të bilardos shtetasin Erald Bani, i cili më pas i ka kërkuar autorëve të dalin jashtë. Paraprakisht dyshohet, se autorët pas konfliktit të kryer me grushte e sende të forta, janë rikthyer sërish me armë zjarri automatike, duke qëlluar në drejtim të katër shtetasve ku aktualisht në gjendje të rëndë shëndetësore ndodhen Eldi Skadrina dhe Erald Bani. Policia arrestoi autorët Bilbil Krasniqi, 36 vjeç, banues në Tiranë, i proceduar më parë dhe Gentian Luga, 27 vjeç, banues nëTiranë, i proceduar më parë, Ndërkohë që në vendngjarje, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit, si dhe disa gëzhoja. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tyre do t’i kalojnë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, për konsumim të veprës penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, vepër e parashikuar nga neni 79/ë të Kodit Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›