E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama Berisha e Topi perplasen per universitetet private

08/03/2012  Kreu socialist sulmon fiktivitetin të arsimit privat në vend

Kreu socialist Edi Rama në ditën kushtuar mësuesve ka deklaruar se programi i tij për arsimin ka të bëjë me një rilindje kombëtare në këtë fushë. Në tryezën për arsimin kreu i PS-së deklaroi se sistemi aktual arsimor është në degradim të plotë dhe se synimi kryesor i PS-së është rilindja e saj. “Ne programin tonë për këtë sektor qytetarët kurrë nuk do të kërcënohen për shkak të bindjeve të tyre politike. Qëllimi ynë është vendosja e dinjitetit të çdo pedagogu pavarësisht angazhimit me partinë që qeveris. Sot arsimi ska njohur ditë më të keqe se ajo e politizimit e barazimit”, - vuri në dukje Rama në tryezën e katërt të PS-së për arsimin. Gjatë fjalës së tij Rama deklaroi se universitetet private në Shqipëri kanë sjellë fluks të papunësh me mbarimin e shkollave të mesme. Autonomia e universiteteve është shkatërruar, ndërsa janë shqyer dyert duke hapur fakultete ku të mundet, pa vizion për shoqërinë dhe pa konstruktin konceptual të fushave të studimit. Sipas tij, vitin e ardhshëm PS-ja do të marrë në kurriz një barrë jashtëzakonisht të rëndë, “Kthesa historike ku po e çon arsimin qeveria që ska kryeministër është një ndër kthesat më të forta dhe më të vështira”, - deklaroi kreu i selisë rozë. Madje, sipas tij, PS-ja do të hapë një faqe të re duke u bazuar te merita dhe konkurrenca mes pedagogëve, por dhe ndërmjet shkollave të mesme. Njëkohësisht, duke vijuar po në këtë linjë, Rama ironizoi një proces të tillë. “Diplomat e universiteteve private janë si ato letrat e dikurshme me vlerë, që nuk u hyn kurrë në punë shqiptarëve, ndërsa diplomat e tyre do të shtojnë ndjeshëm numrin e të papunëve me diplomë. Ne do të ndryshojmë natyrën e qeverisjes duke ndërtuar koalicion me trupat pedagogjike dhe prindërit. Një sistem me standarde bazohet te konkurrenca dhe merita mes studenteve dhe shkollave publike e private”, - veçoi kryetari i socialistëve. Madje, sa i takon një çështjeje të tillë Rama gjykoi se aktualisht fakultetet shqiptare po u japin diploma të rinjve “në bazë të lekut dhe jo në bazë të aftësive”. Për këtë arsye kreu i PS-së premtoi se një traditë e tillë, e cila nuk sjellë asnjë vlerë për arsimin, do të ndryshojë me ardhjen e PS-së në pushtet. Sipas kryesocialistit, viti 2013 do të dorëzohet nga kjo qeveri një vend analfabet, edhe pse shifrat e deklaruara tregojnë se numri i analfabetëve në vend kap shifrën 10 %. Ndër premtimet e PS-së për arsimin Rama deklaroi se në qeverisjen socialiste librat për sistemin 9-vjeçar do të jenë falas për të gjithë fëmijët, pasi rritja e çmimit të librave dhe mjeteve të tyre shkollore ka bërë që të varfrit ta kenë të pamundur për të vazhduar shkollën. “Në programin tonë synohet që librat të jepen falas për të gjithë të varfrit si dhe të mundësohet transporti i fëmijëve nga shkolla në shtëpi. Kjo nuk është diçka e mundur, thjesht kërkon një angazhim dhe menaxhim të kësaj situate”, - deklaroi gjatë fjalës së tij në tryezën për arsimin kryesocialisti Edi Rama. Po kështu në këtë tryezë u dhanë një sërë opinionesh nga të ftuarit, përfaqësues të kësaj fushe, duke kontribuar në qëllimin e PS-së, e cila synon që përmes këtyre bisedave të mund të realizojë një program të plotë për një rilindje kombëtare.

Arben Malaj

“Po shesim diploma, po skemi të diplomuar. Arsimi është e mirë publike. Duhet ti bindim të gjithë faktorët e aktorët se është e mirë publike. Unë besoj se jemi në kohën për ta trajtuar arsimin si prioritet të prioriteteve. Hapi i parë është strategjia.”

Valentina Leskaj

“Ka një sensibilitet për sa u përket reformave në arsim. Ligjit për arsimin e lartë është ndryshuar 3 herë. Për herë të tretë është ndërruar 1 muaj para zgjedhjeve. Themeli i të gjithë asaj që ne synojmë për sa i përket arsimit ka të bëjë me cilësinë dhe konkurrencën.”

Topi: Universitetet të qëndrojnë larg politikës

Me rastin e 125-vatorit të hapjes së shkollës së parë shqipe Presidenti i Republikës shprehu shqetësimet e tij mbi institucionet arsimore shtetërore e private. “Universitet ti largohen politikës dhe atyre predispozitave për ti përfshirë studentët në polikë dhe për të bërë një edukim të pastër në respektim të ligjit. Dëshiroj të jap mesazh për universitetet private. Kjo fazë e zhvillimit politik dhe institucional e vendit ka krijuar mundësi, por unë mendoj se gjithçka duhet të shkojë në një standard. Nuk mund të pranojmë që të ketë diferenca në standard. Kjo është një temë e gjerë dhe e debatuar dhe nuk dua të bëhem interpret i asnjë rryme që ka dalë nga debatet”, – tha dje Topi në ceremoninë e dekorimit të rektorëve që u zgjodhën në postet drejtuese të universiteteve.

Topalli: Mirënjohje mësuesve

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi dje një aktivitet festiv në ambientet e Kuvendit me nxënës dhe mësueset me rastin e 7 Marsit. Nga ana e saj kryeparlamentarja shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e palodhur të mësueseve në edukimin e fëmijëve dhe përgatitjen e tyre për të qenë të suksesshëm në jetë dhe kudo. “Edukimi është gjëja më e rëndësishme, është ai që çon vendin në zhvillim dhe progres. Në fëmijërinë e çdo individi ndodh që ndjesia i paraprin çdo refleksioni, dhe ky është mësuesi i tyre i parë, është mësuesja e tyre e parë, dhe kjo është gjëja më e bukur që ndodh te secili, që ne e kemi gjënë më të shtrenjtë, që është dhuratë e dashurisë, që është dhuratë e Zotit”, - tha Topalli.

Berisha: Shqiptarët nuk e besojnë më këngën e Ramës

Kryeministri Berisha garantoi edhe një herë nga Korça mbi angazhimin maksimal të qeverisë që drejton për të bërë gjithçka që duhet për integrimin e vendit në BE. Ai vizitoi shkollën e parë shqipe në vendin tonë në përvjetorin e saj të 125-të, ku deklaroi se përbënte gjeneratën më të lumtur, pasi e nderonte këtë tempull në lartësinë e ëndrrave të atyre burrave që themeluan këtu mësonjëtoren e parë: vend anëtar i NATO-s, qytetarë të lirë kudo që jetojmë dhe më të përkushtuar se kurrë në rrugën e tyre drejt Evropës. “Sot shqiptarët kanë shënuar në sistemin e tyre arsimor tregues që i renditin në vendet me tregues më të lartë në ndjekjen e arsimit të mesëm. Sot shqiptarët janë më të përkushtuar se kurrë në rrugën e tyre drejt Evropës, rrugë e cila ka meritën e madhe të jetë rruga e konsolidimit të lirive të tyre, rruga e prosperitetit, e sigurisë së tyre më të madhe, e lirive dhe të drejtave të tyre”, - tha Berisha nga Korça. Vizita e mëhershme në këtë shkollë nga lideri i opozitës ka ngacmuar kreun qeverisë ti drejtohet atij për sjelljen bllokuese politike të këtyre kohëve. “Unë dua ti garantoj shqiptarët se do të bëjmë gjithçka, së bashku me ta, ti kapërcejmë ato. Por nga ky tempull i dijes, i vokacionit perëndimor të kombit, unë dua ti shtroj një pyetje zotit Edi Rama, që, me sa di unë, e ka vizituar sot këtë tempull. Dje u zotove dhe më erdhi mirë se do të votoje çdo gjë, madje se e keni votuar gjithçka që kërkohet në procesin e statusit të Shqipërisë për në Bashkimin Evropian. Kjo është pozitive, por dhjetë ditë më parë, kur urdhërove grupin parlamentar dhe vendose të mos votonin Kodin Penal, kur deklarove të bllokuara reformat, këto i bëre për të ndihmuar Shqipërinë apo Serbinë?” - pyeti Kryeministri. Pavarësisht kësaj, kreu i qeverisë shprehu bindjen se “interesi jetik i opozitës shqiptare është që procesin e integrimit të vendit ta konsiderojë si një proces të detyruar për të gjithë shqiptarët, si një proces që nuk mund të jetë tjetër veçse kontribut i të gjithë shqiptarëve dhe forcave politike, si një proces në të cilin nuk ka asnjë të humbur”. Por, përfundoi ai, “nëse një javë bllokon dhe një javë më vonë thuhet se po kontribuojmë duke i zhbllokuar, kjo është një këngë e trishtuar, që shqiptarët nuk e besojnë më”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›