E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plan brenda Ahtisaarit?

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës pohojnë se po konsultohen me partitë politike dhe ndërkombëtarët rreth një plani për veriun. Por, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se nuk ka ide për krijimin e një Ekipi të Unitetit. Ai nuk përjashton mundësinë që autoritetet të komunikojnë me liderët veriorë, që aktualisht konsiderohen ilegalë. Kuçi thekson se koordinatori i ri për veriun pritet të emërohet pasi Ylber Hysa të bëhet ambasador.

Thirrjet e përditshme të ndërkombëtarëve drejtuar Qeverisë së Kosovës për plan të ri për veriun ende nuk kanë dhënë ndonjë rezultat konkret.

Kjo pasi ekzekutivi po vazhdon të thotë se për pjesën problematike të Kosovës do të vlejë vetëm Plani i Ahtisaarit, në bazë të të cilit funksionon shteti i Kosovës.

Së paku kështu thuhet publikisht.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se Qeveria është duke u konsultuar me partitë politike dhe faktorin ndërkombëtar për normalizimin e gjendjes në veri.

Por, ai e ka mohuar se po diskutohet për krijimin e një ekipi të ngjashëm me “Ekipin e Unitetit”, që ka funksionuar para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Nuk do të ketë ekip të unitetit sepse një gjë e tillë nuk parashihet askund. Është Plani i Ahtisaarit dhe ai do të zbatohet në veri”, ka thënë Kuçi në një bisedë për Express.

Për dallim prej Prishtinës, në Beograd tashmë kanë dalë disa plane për pjesën veriore të Kosovës. Presidenti serb, Boris Tadic, tashmë është bërë e ditur se ka dorëzuar te shtetet e Quinit’it një plan katër pikësh, në të cilin propozon status special për veriun, derisa tri pikat tjera janë nxjerrë nga Pakoja e Ahtisaarit.

Plani i Ahtisaarit është zbatuar në shumicën e territorit të Kosovës, por jo edhe në veri, ku vazhdojnë të funksionojnë strukturat shtetërore të Serbisë, derisa rrugët janë të bllokuara nga barrikadat si shenjë pakënaqësie për veprimet e Prishtinës.

Megjithëkëtë, Hajredin Kuçi thotë se janë duke punuar për të shtrirë institucionet në veri dhe nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen të flasin edhe me serbët e strukturave paralele apo njerëzit që aktualisht konsiderohen udhëheqës ilegalë në atë pjesë të vendit.

“Ne nuk duhet ta paragjykojmë këtë çështje, por dihet se Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë me qytetarët e Kosovës, të cilët i pranojnë institucionet shtetërore të Kosovës”, ka thënë Kuçi.

Ai ka thënë se paralajmërimi qeverisë për plan të ri për veriun do të publikohet nga Ministri i Pushtetit Lokal, por se i tëri do të bazohet në Pakon e Ahtisaarit.

“Asgjë jashtë pakos nuk do të ketë”, ka përsëritur Zëvendëskryeministri.

Duke folur për koordinuarin e ri, Kuçi ka thënë se këtë post ende e mban i nominauri për ambasador të ri të Kosovës, Ylber Hysa.

Sipas Kuçit, koordinatori i ri do të emërohet pasi të zyrtarizohet emërimi i Hysës në postin diplomatik.

“z. Hysa është ende koordinator dhe derisa të emërohet ambasador, ai do të jetë në atë pozitë”, ka thënë ai.

Ndryshe, veriu i Kosovës, ku bëjnë pjesë gjysma e Mitrovicës, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, prej vitit 1999 funksionon me institucione të Serbisë. E banuar me shumicë serbe, kjo pjesë i ka refuzuar në vazhdimësi institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa tash po kërkon që të ketë status të veçantë prej pjesës tjetër.

Sekretari shtetëror në Qeverinë e Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanovic, para disa ditësh u ka bërë thirrja zyrtarëve të Prishtinës dhe bashkësisë ndërkombëtare të hartojnë një plan trepalësh për tejkalimin e problemit të veriu.

Veç kësaj, në këtë pjesë të Kosovës, zyrtarët serbë kanë planifikuar të mbajnë referendum më 14 dhe 15 shkurt për t`u deklaruar nëse i pranojnë ose jo institucionet e Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›