E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veriu i komplikuar

Çështja e veriut ndërlidhet përgjithësisht me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sivjet së paku do të duhej të fillonte procesi i zgjidhjes së këtij problemi. Për veriun mund të ndërmjetësojë BE ose edhe ndonjë shtet neutral si Zvicra apo Norvegjia. E kosovarëve u duhet konsensus nacional, por jo unitet i plotë për t’u marrë me këtë temë. Marko Prelec, Drejtor i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Ballkanin, flet për Express.

Express: Mësuam se keni vizituar veriun e Kosovës . Si e përshkruani situatën atje?

Prelec: Po, situata në veri është e qetë. Kam parë që në strukturat komunale atje është duke u bërë shumë punë për referendumin dhe mendoj se janë pak nervozë sa i përket kësaj, sepse është iniciativa e parë e tyre që e bëjnë tërësisht vetë, pa mbështetjen e Beogradit në fakt në kundërshtim me Beogradin.

Express: Cili është mendimi juaj për këtë referendum ?

Prelec: Referendumi në fakt është një lloj sondazhi zyrtar. Ai nuk ka kurrfarë efekti ekzekutiv, është thjesht një akt politik. Por, do të ketë peshë politike. Ai do të ndryshojë debatin rreth marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe posaçërisht sa i përket veriut.

Express: A mendoni mund të shërbejë ky referendum si një hap drejt ndarjes së veriut nga Kosova?

Prelec: Nuk mendoj se kanë menduar aq larg ende. Mendoj se është vetëm për t’i rikujtuar të tjerët se ekzistojnë. Ata në fakt nuk i besojnë liderëve në Beograd dhe rrethit të Presidentit Tadic që të kujdesen për ta.

Express: Tashmë bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Prishtina që të dalë me një plan për veriun. Cila është zgjidhja për atë pjesë sipas jush?

Prelec:Unë nuk mendoj se mund të ketë progres sa i përket veriut të Kosovës, nëse nuk ka përmirësim të marrëdhënieve të përgjithshme mes Kosovës dhe Serbisë. Ato janë dy probleme të mëdha. E para është se Serbia nuk e njeh Kosovën dhe e bllokon atë kurdoherë që mundohet të bëjë diçka në arenën ndërkombëtare. Problem i dytë është veriu. Dhe këto të dyja janë të ndërlidhura. Dhe ne e kemi thënë këtë në raportin e ICG. Nëse njëra palë tregon vullnet të mirë në këto dy fusha, unë mendoj se kjo gjeneron vullnet të mirë tek pala tjetër dhe mendoj se Serbia dëshiron që Prishtina të tregojë më shumë fleksibilitet rreth veriut.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Express

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›