Zhbogar: Veriu nuk guxon të shndërrohet në konflikt të ngrirë

I sapo emëruari përfaqësues special i BE-së për Kosovë, Samuel Zhbogar, në një intervistë për RTK-në, ka folur për sfidat me të cilat do të ballafaqohet Kosova sivjet. Ai ka folur për mosmarrëveshjet që po zvarrisin dialogun mes Kosovës e Serbisë. “Në takimet e ndryshme, përfshirë këtu edhe takimet e Këshillit të Sigurimit, vendet përfaqësohen vetëm me emrat e tyre, pa e specifikuar a është fjala për republikë apo për mbretëri”, ka theksuar Zhbogar.
Sipas tij, është qenësore që Kosova të ketë një ulëse ashtu siç e kanë vendet e tjera, nëpër forumet e ndryshme.
Zhbogar ka thënë se marrëveshja përkitazi me këto çështje do të ndihmonte që Kosova të krijojë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, të cilat aktualisht nuk i ka.
Sipas tij, marrëveshja e Kosovës për mënyrën se si do të përfaqësohet ajo në forumet rajonale e ndërkombëtare do të ndikojë edhe në qëndrimin e vendeve të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën ende.
Idenë për një takim eventual të Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi me Presidentin e Serbisë Boris Tadiq, Zhbogar e cilësoi si të mirë.
Ai është optimist për raportin e ardhshëm të progresit.
Çështjet sfiduese për sivjet të cilat do të reflektohen në atë se çka do të përmbajë ky raport, Zhbogar ka përmendur përpjekjet që duhen bërë në fushën e rendit dhe të ligjit, e në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.