E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet në parim Projektligji për Qeverinë

Nga Express më 22 shtator 2011 në ora 17:14

Kuvendi i Kosovës ka mbështetur në parim të enjten Projektligjin për Qeverinë e Kosovës, të cilin e ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje, përderisa grupet tjera parlamentare i kanë dhënë përkrahje me qëllim që të plotësohet gjatë shqyrtimit në komisione.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi gjatë prezantimit të projektligjit, ka thënë se ai konsiston në nevojën për rregullimin e kompetencave të Qeverisë dhe ministrive.

“Me këtë projektligj përcaktohen parimet udhëheqëse të Qeverisë si pushtet ekzekutiv që udhëhiqet nga parimi i zbatimit të ligjit, përgjegjshmëria, transparenca, efektshmëria. Përcakton përbërjen, mandatin e Qeverisë, fillimin dhe përfundimin e Qeverisë dhe përcakton Qeverinë në largim. Po ashtu, përcaktohet statusi i anëtarëve të Qeverisë dhe i akteve dhe dokumenteve që nxjerr Qeveria”, ka thënë Rexhepi.

Ai ka shtuar se ky projektligj është përgatitur nga Zyra e Kryeministrit dhe është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet e BE-së, pasi që janë bërë paraprakisht hulumtime dhe konsultime të gjëra nga natyra e kësaj fushe.

Derisa grupet tjera parlamentar i kanë dhënë mbështetje në parim, Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka kundërshtuar këtë projektligj, duke konsideruar se me miratimin e tij në një mënyrë synohet të legalizohet gjendja aktuale që mbizotëron në Qeverinë e Kosovës, e jo të krijohet një bazë e mirëfilltë për funksionimin e Ekzekutivit.

Deputeti i Vetëvendosjes, Afrim Kasolli ka thënë se funksionimi i Qeverisë ka nevojë të rregullohet me ligj, por jo me një ligj çfarë është sjellë tani para deputetëve.

“Qeveria ka nevojë për një bazë ligjore dhe kjo është e qartë. Mos ekzistenca e një Ligji për Qeverinë ka bërë që struktura qeveritare të rritet pambarimisht. Por, ky projektligj në një mënyrë synon të legalizojë gjendjen aktuale që mbizotëron në këtë qeveri dhe jo të krijojë një bazë ligjore. Kosovës i duhet një Ligj për Qeverinë, por jo në këtë mënyrë. Vetëvendosja nuk do ta përkrahë as në parim këtë projektligj”, ka thënë Kasolli.

Sadri Ferati në emër të LDK-së i ka dhënë mbështetje, por ka thënë se duhet të përmirësohet shumë gjatë punës në komisione, në mënyrë që të përcaktohet në mënyrë të qartë madhësia e Qeverisë së Kosovës.

Të njëjtat vërejtje i ka dhënë edhe Ardian Gjini nga AAK-ja, i cili ka thënë se duhet të ndryshohet edhe neni që flet për bashkëpunimin e Qeverisë me Kuvendin, që sipas Gjinit, duhet të përcaktohet qartë që Qeveria i nënshtrohet Kuvendit, e jo thjesht ta njoftojë Kuvendin për punën e saj.

Gjatë seancës së sotme, ligjvënësit kanë miratuar edhe Projektligjin për të huajt dhe Projektligjin për Agjencinë e Kosovës për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore, si dhe disa raporte të komisioneve parlamentare në lidhje me mbikëqyrjen e implementimit të ligjeve të caktuara.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›