E Shtunë, 31 Tetor 2026

Campbell: Nuk bëj luftë kundër Serbisë

Nga Express më 22 shtator 2011 në ora 15:29

“Më pyetni nëse bëj luftë mediale kundër Serbisë? Kjo thjeshtë nuk është e vërtet”, thotë Alastair Campbell, ish-këshilltar i kryeministrit Tony Blair.

“E vërtetë është se qeveria e Kosovës dhe ‘Këshilli Britanik’ më paguajnë që të këshilloj Prishtinën për komunikim, por puna ime nuk është e drejtuar kundër serbëve dhe Serbisë”, tha për “Press” gazetari dhe analisti britanik, i cili sipas kësaj ditoreje e udhëheq luftën mediale kundër Serbisë dhe Presidentit Boris Tadic.

Alastair Campbell pranon se këtë javë ka qenë në Kosovë, se këtë do ta bëjë këtë edhe disa herë tjera, por shton se është “budallallëk ta akuzojnë për antiserbizëm”.

“Puna ime përfshinë udhëtimet e rastit në Kosovë. Atje këshilloj zyrtarët e lartë të Qeverisë se si të komunikojnë më mirë me mediat e atjeshme dhe ato ndërkombëtare. Për këtë punë bashkërisht më paguajnë qeveria në Prishtinë dhe ‘Këshilli Britanik’. Më pyetni nëse bëj luftë mediale kundër Serbisë? Kjo thjeshtë nuk është e vërtet”, thotë Campbell, i cili sipas ditores serbe, “Press”, në Britani e ka nofkën “mbreti i tjerrjes” dhe “arkitekt i luftës”, që u bë i famshëm duke bindur opinionin britanik se bombardimi i Serbisë më 1999 ishte i pashmangshëm për të mbrojtur civilët. Ai citohet të ketë thënë se NATO nuk do ta përmbushte këtë mision pa lidhjet e tij mediatike.

Në pyetjen se a është detyra e tij dhe ndikimi i tij në mediat britanike që ato të kthehen kundër Serbisë, Campbell thotë: “As kjo nuk është e vërtet”.

“Deri tash kam analizuar vetëm mediat në Kosovë dhe e kam këshilluar Prishtinën se për çfarë ndryshimesh kanë nevojë. Momentalisht po përgatiti një raport të detajuar për këtë. Kam dëgjuar se unë jam fajtor për informatat se gjoja do të takohen Hashim Thaçi dhe Boris Tadic, por as kjo nuk është e vërtet”.

Ditorja britanike “Daily Mail” ka cituar Teuta Beselicën - zëvendësdrejtoren e “Këshillit Britanik” në Prishtinë - të thotë se ka qenë e befasuar për të mirë, sepse njeriu i cili njihet si gjaknxehtë ishte i këndshëm gjatë bisedave me “Këshillin...”.

“Ai ishte shumë sharmant...”, ka thënë Beselica, transmeton Telegrafi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›