E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtëzojnë lëvizjen e lirë të KFOR-it me largimin e doganierëve

Nga Express më 22 shtator 2011 në ora 15:30

Largimi i telave gjembor nga vendkalimi në Jarinje është edhe një manipulim medial nga ana e KFOR-it, konsideron kryetari paralel i komunës së Leposaviqit, Branko Niniq.

Ai tha të enjten se që në mëngjes ka vizituar këtë vendkalim dhe se aty qëndrojnë akoma gjemborët.

“Për neve nuk është problem KFOR-i dhe as gjemborët e tyre, por doganierët e të ashtuquajturës Qeveri e Prishtinës”, ka thënë Niniq, duke shtuar se qytetarët të cilët ndodhen nëpër barrikada në Jarinje janë të vendosur të mos lejojnë funksionimin e doganave të Kosovës.

Sipas tij, në këtë vendkalim do të jetë e mundur lëvizja e lirë për ushtarët e KFOR-it, atëherë kur KFOR-i nuk do të përkrahë më institucionet e Kosovës dhe kur nga ky vendkalim të kthejë mbrapsht doganierët shqiptarë.

Serbët në veri kanë bllokuar rrugët në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së doganierëve dhe policëve kufitarë të Kosovës, në dy pikat kufitare 1 dhe 31. Këto dy pika kufitare konsiderohen si vende të kontrabandës dhe krimit.

Policia e Kosovës dhe doganierët janë vendosur në Jarinjue dhe Bërnjak të premten e kaluar, pasi që atje janë bartur me helikopterë të KFOR-it.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›