Rrahje mes pronarëve të tokave dhe policisë

Ka ndodhur një përleshje mes disa pronarëve të tokave dhe pjesëtarëve të policisë së Kosovës, në vendin Shkabaj. Deri te kjo përleshje ka ardhur pasi që pronarët kundërshtonin zhvillimin e punimeve në magjistralen M2 që lidh Prishtinën dhe Mitrovicën. Me këtë rast ka ndërhyrë Policia e Kosovës, e cila ka asistuar në zhvillimin e punimeve.
Kompania “AHN Group”, e cila kishte filluar punimet para dy ditëve, ka marrë kërcënime dhe i ka ndaluar punimet, ndërkohë që ka ardhur një urdhëresë prej Ministrisë së Infrastrukturës që të vazhdojnë punimet pa ndërprerë.
Duke parë kërcënimin nga këta pronarë të tokave, është dashur edhe asistimi i Policisë së Kosovës. Mirëpo, prezenca e policisë nuk i ka penguar pronarët që kanë dashur të pengojnë eskavatorin, i cili ishte duke kryer punët.
Nuk ka vonuar shumë dhe ka ndërhyrë Policia e Kosovës, e cila me këtë rast është përleshur me pronarët e tokave, të cilët janë arrestuar dhe dërguar në stacionin policor në Prishtinë.
Para incidentit, Agim Ajvazi, pronar i tokës, ka thënë për Kosovapress se për këtë rrugë do të duhej të shpronësoheshin vetëm 3 ari tokë, ndërkohë që do të shpronësohet e gjithë toka prej 6 ari.
“Ne nuk jemi të kënaqur se prej fillimit është bërë vonesë si në shpronësim, si me vlerësim të tokës, gjithashtu është bërë padrejtësi shumë e madhe prej Ministrisë. Rruga ekzistuese që kanë qenë për t’u shtruara ka 2 metra. Tash është marr vendim që krejt në këtë pjesë me ardhur domethënë në krejt pjesën e djathtë. Ka intervenime prej tjetër kujt dhe ne jemi të dëmtuar më së shumti. Dhe ata 3 ari vjen i merr, ekzistojnë 6 ari dhe e kanë shpronësuar për 6 ari, ndërsa rruga nuk i merr as 3 ari dhe nuk jemi të kënaqur”, ka thënë Ajvazi.
Gjithashtu ai është ankuar edhe në vlerësimin e pronës, që sipas tij këtu kushton 12 mijë euro ari, ndërsa vlerësimi nga Ministria e Infrastrukturës ka qenë vetëm 4 mijë e 500 euro për ari.
Ajvazi ka shtuar se për këtë gjë ka angazhuar edhe një avokat, duke ngritur edhe një padi ndaj Ministrisë së Financave, pasi mendon se prona po i merret me forcë.
Nga ana tjetër, Lah Myrtaj, drejtor i Drejtorisë së Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, ka thënë se shkaku i problemeve pronësore kanë qenë të pazgjidhura në gjithë segmentin M2, Prishtinë-Mitrovicës dhe M9 Prishtinë-Pejë.
Myrtaj thotë se pas miratimit të ligjit në Kuvend është bërë edhe vlerësimi i pronave dhe kështu që projektet do të përfundojnë.
Në lidhje me rastin ai ka thënë se të gjithë ata pronarë që janë të pakënaqur mund t’i drejtohen organeve përkatëse.
“Pas vlerësimit pakënaqësitë munden me procedura të mëtutjeshme përmes organeve gjyqit e më tutje. Meqenëse kjo rrugë është me interes nacional duhet patjetër që projekti të përfundojë”, ka thënë Myrtaj.
Për më tepër, ai sqaron se Ministria e Financave ka angazhuar kompaninë, e cila bën vlerësimin e pronave, ndërsa Ministria e Infrastrukturës ekzekuton vendimin. Ai thotë se në këtë pjesë janë 200 metra gjatësi e pronës që ka problem me pronarët.
Ndërkaq, Naim Metaj, inxhinier në kompaninë “AHN Group”, e cila është duke kryer punimet, thotë se tash e dy vite Agim Ajvazi pengon punimet, duke kërkuar pagesë ose kompensim. Ai thekson se kompania është tërhequr nga kryerja e punimeve, pasi ka pasur kërcënime nga pronarët e tokave.
“Ne kemi marrë urdhër prej ministrisë, kështu që ky zotëria ka thënë se nuk bënë me punuar në asnjë mënyrë dhe unë jam tërhequr prej kësaj pune, por ministria prapë ka ardhur dhe ka tentuar në çdo mënyrë për të filluar punimet. Këtë përgjegjësi e ka marrë ministria me policë dhe kjo punë duhet të kryhet patjetër dhe punimet kanë filluar dhe reagimet po shihen. Prej se kanë filluar punimet, ka pasur kërcënime”, ka thënë Metaj.
Për më tepër ai ka shtuar se vetë pronarët dalin para makinave edhe në prezencë të policisë dhe pengojnë punimet.