E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plan për një aksion të dytë në veriun e Kosovës

Përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ata të misioneve ndërkombëtare të akredituar në Kosovë kanë diskutuar gjatë gjithë ditës së enjte për mundësinë e dërgimit të policisë dhe doganierëve kosovarë në pjesën veriore të vendit, pas skadimit të marrëveshjes së KFOR-it më 16 shtator, shkruan sot gazeta "Zëri" në Prishtinë.

Akoma nuk është e qartë se çfarë roli dhe çfarë fuqie do kenë ata në veri, ndërsa plani për veriun është diskutuar ndërmjet ambasadorit amerikan, Christopher Dell, shefit të EULEX-it, Xavier bout de Marnhack, komandantit në largim të KFOR- it , Erhard Buehler dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Sipas burimeve të “Zërit”, këta zyrtarë janë ende duke shqyrtuar detajet finale të asaj që do të ndodhë një ditë pasi do të përfundojë marrëveshja 11- pikëshe që po implementohet nga KFOR-i.

“E vetmja gjë që nuk dihet sigurt është roli i saktë që do kenë doganierët vendorë në veri, nëse do të kenë rol ekzekutiv apo do të jetë rol KMM (këshillues, monitorues dhe mentorues)”, tha një zyrtar që të enjten ishte i pranishëm në disa prej takimeve, për të shtuar se “ende nuk është vendosur as vendi ku doganierët kosovarë do të dërgohen fizikisht më 16 shtator”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›