Planet e CIA-s për video false e diskredituese kundër Sadamit
CIA, shërbimi sekret amerikan kishte planifikuar në fshehtësi një fushatë për të diskredituar ish-liderin e Irakut, Sadam Husein. Sipas planit të saj, ajo do të çonte në Irak një video false në të cilën shfaqej Sadami duke kryer marrëdhënie seksuale me një djalë adoleshent. Ky plan po përgatitej gjatë vitit 2003 kur Shtetet e Bashkuara po përgatiteshin me të gjitha mënyrat për të sulmuar Irakun. Sipas gazetës amerikane ”Washington Post” Shërbimi Sekret Amerikan kishte përgatitur një propagandë false edhe kundër Bin Ladenit duke sajuar një film në të cilin lideri i Al-Kaedës shfaqej me miqtë e tij rreth zjarrit duke pirë alkool dhe duke folur për femra. Por për shkaqe të ndryshme këto video nuk e kanë parë dritën e diellit, deri më sot. Por ndërkohë këto pohime janë shumë të rënda për Shërbimin Sekret Amerikan në një kohë kur Presidenti Obama ka kërkuar ”spastrime” pas ndalimit që u bëri metodave të aspra të marrjes në pyetje të të dyshuarve për terrorizëm të aplikuara nga Bushi dhe njerëzit e tij në kuadrin e luftës kundër terrorizmit. Sipas dëshmive të disa ish-zyrtarëve të shërbimit sekret, videoja në lidhje me Sadamin do të ishte krijuar duke përdorur sozi të tij dhe aktorë. “Gjithçka do të dukej si e marrë nga një kamera e fshehtë”, ka deklaruar për gazetën një ish-agjent i CIA-s. Ndërkohë, ishin menduar edhe variante të tjera për largimin e Sadamit nga pushteti si ajo e ndërprerjes së edicionit të lajmeve dhe futjes së një sozie të Sadamit që njoftonte dorëheqjen dhe kalimin e pushtetit të birit, Uday. CIA gjithashtu ka dashur që të ndërhynte në valët televizive irakiane për të dhënë mesazhe të ndryshme. Sipas ish-agjentit, gjërat nuk shkuan sipas parashikimeve dhe planet u ndaluan. Dy nga ish-zyrtarët e lartë të CIA-s që kanë dëshmuar për gazetën kanë deklaruar se ishin kundër metodave të tilla. Sadam u kap më vonë në vitin 2003 dhe u var në dhjetor të vitit 2006 ndërsa djemtë e tij u vranë.
#