Plani Rregullues i Tiranës, Basha: Mund të ndërhyjmë edhe në qendër
Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha ka paralajmëruar ndërhyrje në çdo pikë të kryeqytetit duke lënë të hapur edhe mundësinë për ndërhyrje në projektin në qendër të Tiranës. Kjo, në kuadër të planit të ri rregullues, i cili i pari i kryeqytetit e ka diskutuar me specialistë të fushës dhe grupe të interesit.
“Ndërhyrjet që bashkia po i planifikon për të normalizuar situatën e komplikuar në akse të ndryshme të kryeqytetit”, nënvizoi Basha. Gjithashtu kryebashkiaku Basha ka theksuar se pas dhjetë muajsh do të ketë një plan të plotë rregullues për Tiranën. Ndër të tjera ka pohuar se tashmë ka ardhur koha që kryeqyteti të ketë një zhvillim të infrastrukturës, që nga Unaza e Madhe, tramvaj e parkingjet nëntokësore.
“Është e domosdoshme që të zgjidhet konflikti mes qytetit dhe qytetarëve. Ky plan i munguar prej dhjetë vitesh të realizohet jo më shumë se 10 muaj”, theksoi ai.
Ndërsa akademikë si dhe specialistë të fushës, gjatë këtij diskutimi kanë dhënë mendimet e tyre në lidhje me planin urbanistik të Tiranës, duke sjellë në vëmendje edhe Tiranën e viteve të mëparshme dhe shtëpive me qerpiç.