Rexhepi: Të vendosur për rifunksionimin e pikave kufitare

Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të rifunksionalizojë vendkalimet kufitare 1 dhe 31, të cilat gjenden në veriun e vendit dhe ajo ka kapacitetet e nevojshme për ta bërë këtë. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi ka theksuar se paralajmërimet e kryeministrit Thaçi, lidhur me rifunksionalizimin e vendkalimeve kufitare në veri të vendit, do të bëhen realitet, pavarësisht kundërshtimeve të cilat i ka shprehur Beogradi zyrtar si dhe serbët që jetojnë në veri të Kosovës.
“Natyrisht që ne jemi të përkushtuar, në koordinim me KFOR-in dhe me EULEX-in, që ta bëjmë këtë punë. Kështu që, ne prej Serbisë nuk presim përgjigje tjetër, por ata nuk mund të përzihen në punët e brendshme të Kosovës. Ne kemi kapacitete. Edhe një herë po e them se në koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in ne do ta bëjmë këtë punë”, u shpreh Rexhepi.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian, kanë porositur zyrtarët e institucioneve të larta të Kosovës, që të mos ndërmarrin veprime të njëanshme në veriun e vendit. Por, Ministri i Brendshëm, Rexhepi, ka ritheksuar se Qeveria e Kosovës i ka prioritetet e veta.
“Unë e kam thënë mendimin tim lidhur me këtë. Ata i kanë prioritetet e tjera. Ndërkaq, ne e kemi prioritet vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit”, nënvizoi ai. Sidoqoftë, zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, në vazhdimësi kanë përsëritur qëndrimin se nuk do të lejojnë kthimin e gjendjes që ishte para 25 korrikut të këtij viti.