Plani i Ahtisaarit nuk mund të interpretohet me koncepte të Stalinit për kombin
Emblema e Prizrenit nuk ka arsye të ndryshojë – Vendimi i GJKK është i gabuar
Ankesa e disa përfaqësuesve turq dhe boshnjakë si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës burojnë nga një keqkuptim themeltar. Amblemat nuk përfaqësojnë komunat por qytetet. është tjeter gjë se vendimin politik se çfarë do të jetë amblema e një qyteti e merr një organ politik e që në këtë rast është asambleja komunale. Edhe Parlamenti i Kosovës vendos për Bordin Drejtues të RTK, por RTK nuk është televizion i Parlamentit të Kosovës, por televizion i Kosovës. Janë tjëtër gjë vulat ku përveq amblemës së qytetit janë edhe mbishkrimet në gjuhët zyrëtare të asaj komuneje.
Në amblema të qyteteve zakonisht nuk ka fare mbishkrime. Ato amblema të qyteteve që përmbajnë mbishkrime zakonisht kanë emrin e qytetit dhe/ose vitin e themelimit të tij apo ndonjë datë të rëndësishme në historinë e atij qyteti. Amblema e Prizrenit ka shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, emrin e qytetit si dhe vitin 1878.
Nëse komuniteti turk e boshnjak nuk kanë asgjë kundër simbolit të shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit atëherë edhe për ta amblema duhet të jetë OK. Fjala Prizren dhe numrat 1878 shkruhen në të tri këto gjuhët njësoj.
I vetmi komunitet që do të mund të nxjerrte probleme në këtë drejtim është komuniteti sërb i Prizrenit, pasi në shkrimin cirilik fjala Prizren do të shkruhej ndryshe. Por me kushtetutën e Kosovës nuk është thënë se shkrimi zyrëtar në Kosovë është shkrimi cirilik. Sërbët përdorin të dy alfabetet: edhe atë latin edhe atë cirilik dhe në kushtetutën e Kosovës nuk është precizuar se në cilin alphabet duhet të jenë mbishkrimet në gjuhën sërbe. Sëkëndejmi as komuniteti sërb nuk ka të drejtë të ankohet në këtë drejtim, sepse Prizren 1878 shkruhet njësoj edhe në sërbisht në alfabetin latin.
Sa i përket Kushtetutës së Kosovës e cila është hartuar mbi bazën e Planit gjithëpërfshirës të Ahtisaarit, atëherë duhet të konsiderojmë dy aspekte: germën dhe frymën e saj. Në të dyja këto aspekte amblema e Prizrenit nuk është në kundërshtim me kushtetuten.
Neni 1.7 i Planit gjithëpërshirës të Ahtisaarit thotë se “Kosova duhet t’i ketë simbolet e veta kombëtare pëërfshirë këtu falmurin, stemën dhe hymnin të cilat duhet të kenë karakter multietnik”. Shtrohet pyetja se çfarë do të thotë karakteri multietnik?
Karakteri multietnik do të thotë që të jetë i pranueshëm nga të gjitha apo nga shumica e komuniteteve etnike. Dikush e pat keqkuptuar se këto simbole duhet të jenë kombinim i simboleve të të gjitha etnive! Por etnitë nuk kanë flamure as stema as hymne. Flamuret, stemat dhe hymnat janë simbole të kombeve dhe jo të etnive. Prandaj karakteri multietnik nënkupton pranueshmërinë e simboleve në fjalë nga komunitetet e ndryshme etnike.
Duke keqinterpretuar nenin 1.7 të pakos së Ahtisarit u eliminua propozim-falmuri i Ibrahim Rugovës dhe himni “Kur ra kushtrimi në Kosovë”. Ky keqinterpretim iu bë vetëm për shkak te inateve politike me presidentin e ndjerë.
Por tani çfarë inati kanë me amblemën e Prizrenit? Nëse për të është votuar nga përfaqësues të të gjitha komuniteteve ne Prizren, atëherë kjo amblemë përfaqëson frymën e kushtetutës së Kosovës, përkatësisht frymen e Planit gjithëpërfshirës të Ahtisaarit.
Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është tërësisht i gabuar. Ky interpretim i gabuar rrjedh nga dy keqkuptime themelore: i pari se amblema e qytetit është amblemë e komunës dhe i dyti nga shenja e barazisë mes etnisë dhe kombit sipas konceptit Stalinist për kombin.
Natyrisht, plani i Ahtisaarit nuk mund të interpretohet me koncepte të Stalinit për kombin.
Fatkeqësia e shoqërisë kosovare qëndron në faktin se kemi ne fuqi një kushtetutë super moderne kurse udhëheqësit e institucioneve tona konceptojnë me teorinë e Stalinit për kombin. Dikush mund të argumentojë se në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës janë edhe tre gjykatës ndërkombëtarë dhe pse ata kanë lejuar një vendim të tillë? Problemi është se puna e amblemës së Prizrenit është një çështje politike dhe kur gjykatësit ndërkombëtarë shohin se vetë gjykatësit vendorë janë kundër amblemës së Prizrenit, pse do ta mbronin ata? Në punët politike ndërkombëtarët zakonisht kanë marrë vendime opurtune e këtë e kanë bërë edhe në rastin e amblemës së Prizremit.
çfarë duhet të bëhet në këtë rast? Asambleistet e Prizrenit nuk duhet të pranojnë ndryshimin e amblemës së qytetit të tyre. Ata duhet t’i bindin kolegët e tyre boshnjakë dhe turq që të heqin dorë nga insistimet e tyre, ndërsa komuniteti ndërkombëtar duhet të bindet se ndryshimi i amblemës së Prizrenit kish me shkaktu tensione ndëretnike të cilat më së paku janë në interesin e pakicave etnike. Ndërsa Gjykata Kushtetuese e Kosovës duhet ta kuptojë gabimin e vet dhe të shohë mundësitë juridike se si të del nga kjo situatë.
...