E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, në alarm që sekretet bërthamore të mos përfundojnë në duart e terroristëve

Një takim i veçantë dyditor, në të cilin pritet të marrin pjesë më shumë se 40 kryetarë shtetesh dhe qeverish, fillon punimet këtu në Uashington më 12 prill. Ky takim i pashembullt do të përqëndrohet në një çështje të vetme: si të mbrohen materialet bërthamore nga terroristët. Si të mbrohen stoqet bërthamore nga terroristët, do të jetë në qendër të takimit të nivelit të lartë për sigurinë globale. Presidenti Barak Obama hodhi idenë e këtij takimi vitin e kaluar, duke parashtuar vizionin e tij gjatë një fjalimi në Pragë. “Po njoftoj një përpjekje të re ndërkombëtare për të siguruar të gjitha materialet e pambrojtura bërthamore në gjithë botën gjatë një periudhe 4 vjeçare. Do të caktojmë standarte të reja, do të shtojmë bashkëpunimin me Rusinë, dhe do të përpiqemi të krijojmë partneritete të reja për të mbrojtur sa më mirë këto materiale sensitive”.

Në fjalimin e tij, Presidenti Obama tha se terroristët bërthamorë janë të vendosur të blejnë, ndërtojnë ose të vjedhin armë bërthamore. Në takimin e Uashingtonit do të diskutohet rreth grupeve si al-Kaida dhe si të parandalohen ata nga zotërimi i materialeve bërthamore për prodhimin e bombave. Alexandra Toma, eksperte e sigurimit bërthamor me grupin Connect U.S. Fund, thotë se rreziku është real. “Terrorizmi bërthamor është kërcënimi numër një ndaj sigurisë amerikane dhe asaj globale. Vetëm që nga janari i këtij viti, dy komisione ndër-partiake kanë thënë se al-Kaida është përpjekur të zotërojë armë bërthamore që prej viteve 90-të dhe ata po vazhdojnë aktivisht këto përpjekje”.

Konferenca pritet të shqyrtojë mënyrat për përmirësimin e sigurisë së materialeve bërthamore në gjithë botën si dhe shtimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Por ekspertët thonë se askush nuk e di madhësinë e stoqeve të armëve bërthamore sepse jo të gjitha vendet njoftojnë sasinë e prodhimit. Ken Luongo kryeson organizatën kërkimore Partneriteti për Sigurinë Globale. “Gjatë Luftës së Ftohtë në veçanti Shtetet e Bashkuara dhe Rusia prodhuan materiale bërthamore për qëllime ushtarake. Ata nuk njoftuan as njeri tjetrin e as ndonjë autoritet ndërkombëtar. Pakistanezët dhe indianët mbajnë shumë sekret se sa materiale prodhojnë. Ne nuk dimë sa prodhojnë izraelitët e kështu me rradhë, pra nuk ekziston. Zoti Luongo thotë se jo të gjitha vendet mendojnë se terroristët duan të zotërojnë material bërthamor për të ndërtuar një bombë. “Shumë vende nuk e pranojnë faktin se terrorizmi bërthamor është një përparësi e lartë. Një gjë e tillë më habit, por kjo është e vërtetë. Madje ekziston një ndryshim i madh mes pikpamjet së Shteteve të bashkuara dhe disa prej aleatëve të tyre kryesorë dhe pjesës tjetër të botës, veçanërisht vendeve në zhvillim”.

Analistët thonë se objektivi kryesor është që pjesëmarrësit në takimin e Uashingtonit të pranojnë se kërcënimi ekziston. Por Alexandra Toma thotë se duhet të kërkohen rezultate më konkrete. “Ne presim që nga ky takim të dalë një komunikatë me një plan veprimi, një afat kohor specifik me synime shumë të qarta dhe të realizueshme, se si të sigurohen dhe mbrohen këto materiale bërthamore sensitive”. Kohët e fundit, Presidenti Obama dhe homologu i tij rus Dmitri Medvedev ranë dakord për një traktat të ri për pakësimine armëve bërthamore me rreze të gjatë veprimi. Ekspertët besojnë se ky traktat amerikano-rus mund të ketë një ndikim pozitiv për rezultatin e takimit mbi terrorizmin bërthamor.

New York Times: “Politikat bërthamore të Obamës”/“Presidenti Barak Obama ka folur qartë rreth vizionit të tij për një botë pa armë bërthamore. është një qëllim i lartë, që nuk do të arrihet gjatë presidencës së tij, madje as për vite pas saj. Por, është kohë me rrezik, që ai po merr një hap kaq të rëndësishëm për ta bërë botën të sigurt dhe për ta forcuar kredibilitetin e vendit të tij, në përpjekjet për t’i kufizuar ambiciet bërthamore të Iranit, të Koresë së Veriut dhe të të tjerëve. Në këta dy dhjetëvjeçarë, pas fundit të Luftës së Ftohtë, SHBA-të dhe Rusia ende kanë një numër total prej 200 mijë armësh bërthamore. Presidenti Obama ka ringjallur negocimet për kontrollin e armëve dhe, këtë javë, ai dhe presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, do të nënshkruajnë një marrëveshje të re, e para që nga viti 2002, për reduktimin e armëve bërthamore. Të martën, Obama ka lëshuar planin e tij ndaj çështjes bërthamore. Plani përcakton kushtet, në të cilat SHBA-të duhet t’i përdorin armët bërthamore. Plani i fundit u bë në vitin 2002 nga administrata e presidentit Xhorxh Bush, duke u dhënë armëve bërthamore një rol kritik në mbrojtjen e vendit dhe të aleatëve të tij, si dhe sugjeronte se mund të përdoren kundër armiqve që ushtrojnë sulm kimik, biologjik ose madje kundër forcave konformiste. Plani i ri thotë se roli fondamental i armëve bërthamore është për t’i penguar sulmet bërthamore ndaj SHBA-ve dhe aleatëve të tyre dhe përjashton përdorimin e armëve bërthamore kundër vendeve pa armë bërthamore, madje dhe kur ato sulmojnë SHBA-të me armë të tjera. Këtu ka një kufizim të rëndësishëm. Garancia shkon vetëm te vendet që pranojnë Marrëveshjen për Reduktimin e Armëve Bërthamore, duke u lënë kështu jashtë Koreja e Veriut dhe Irani. Do të ishte mirë nëse Obama bën që qëllimi i vetëm i armëve bërthamore të jetë frenimi i një sulmi bërthamor. Askush nuk mund ta imagjinojë se SHBA-të do të përdorin ndonjëherë armë bërthamore sërish. Epërsia e madhe ushtarake e Amerikës është më se e mjaftueshme për t’u mbrojtur kundër sulmeve. Mençurisht, presidenti Obama, reduktimin e armëve bërthamore e ka kthyer në një prioritet strategjik. Dhe, administrata e tij ka vendosur të udhëheqë me shembull konkret. Ne jemi veçanërisht të inkurajuar ta shohim dokumentin shqyrtues, që vendi nuk do të zhvillojë armë të reja bërthamore. Nuk është më e nevojshme të ketë armë të reja bërthamore. Projekti angazhohet për vazhdimin e pakësimit të mëtejshëm të armëve me Rusinë. Dhe, thuhet se e ardhmja flet se duhet të shkohet në reduktimin e 15 mijë raketave, në total që mbajnë SHBA-të dhe Rusia. SHBA-të kanë 500 armë taktike bërthamore, që konsiderohen të sigurta, ndërsa Rusia ka 3 mijë ose më shumë, që janë në rrezik të vidhen. çdo marrëveshjeje i duhen vite të plotësohet dhe Obama dhe Medvedev duhet t’i fillojnë bisedimet tani. Shqyrtimi gjithashtu angazhon bisedime me Kinën rreth arsenalit të saj bërthamor. Angazhimi i Obamës është t’i mbajë të sigurta rezervat bërthamore. Tashmë, ai ka mbështetur një shumë ekstra prej 624 milionë dollarësh nga buxheti i vitit të ardhshëm për laboratorët bërthamorë dhe premtimet, si dhe një shtesë prej 5 miliardë dollarësh për pesë vjetët e ardhshëm, për rinovimin e infrastrukturës së vjetër. Obama gjithashtu ka premtuar mbështetje për armë të tjera të avancuara. Asnjë nga këto masa duket se nuk qetësojnë kritikat ndaj tij, të cilat flasin se Obama po dobëson mbrojtjen e Amerikës. Madje, kritikat shtohen kur vjen koha për të ratifikuar Traktatin e ri START me Rusinë. Sfidat e sigurisë së vendit janë të larta. Dhe, shumica e amerikaneve kësaj nuk i kushton vëmendje. Obama ka një argument të fortë dhe do t’i duhet të ecë përpara”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›