Rama: Gratë në Shqipëri vuajnë papunësinë e dhunën

Foto shoqeruese e masazhit te Rames per 8 marsin
Kryesocialisti Edi Rama ka uruar dje të gjitha gratë dhe vajzat në të gjithë Shqipërinë me rastin e Ditës së 8 Marsit. Kreu i Partisë Socialiste urimin e tij e ka përçuar me anë të një kartoline të publikuar në blogun e tij personal. Kartolina e përzgjedhur nga kryetari i Partisë Socialiste në dixhiturën e saj thuhet se është një imazh nga koreografia e Angjelin Preljocajt. Ndër-kaq, kreu i opozitës përbri kartolinës së tij ka publikuar dhe një mesazh për Ditën e 8 Marsit. Edi Rama e nis mesazhin duke u shprehur se: Në këtë 8 mars është dita për të reflektuar për sa shumë ende duhet bërë që gratë dhe vajzat në Shqipëri të kenë liri e të drejta të barabarta me ato që gëzojnë simotrat e tyre në botën e lirë. Për kryetarin e opozitës gratë do të jenë më të forta nëse atyre u mundësohet liria dhe punësimi. Që gratë dhe vajzat në Shqipëri të mos diskriminohen e mbeten pas, të mos vuajnë dhunën në familje e papunësinë që ndër gratë është edhe më e përhapur se ndër burra, të mos bien viktimë e paragjykimeve apo e ringjalljes në plot zona të vendit të një sjelljeje izoluese ndaj tyre. Që gratë dhe vajzat në Shqipëri të mos mungojnë si sot, jo për faj të tyre, në rolin e patjetërsueshëm që natyra e liria u ka përcaktuar për ekuilibrat e sotëm shoqërorë të vendit. Nëse do tua mundësojmë që ta luajnë këtë rol, ska pikë dyshimi se Shqipëria do të bëhet shumë më e fortë politikisht dhe ekonomikisht, përfundon mesazhi i kryesocialistit Rama. Ndërkohë, dje të rinjtë e FRESSH-it në Tiranë kanë preferuar ta kujtojnë 8 Marsin jo si një ditë feste, por duke protestuar. Me pankarta në duar dhe me trëndafila të bardhë, për rreth 30 minuta, ata kanë qëndruar përpara Kryeministrisë, duke protestuar për vdekshmërinë e grave gjatë lindjes. Ata kanë kërkuar nga Kryeministri që në vend të mbrëmjeve gala, të mbledhin fonde për një sistem shëndetësor më të përparuar, pasi sipas të rinjve të FRESSH-it, vdekjet e grave gjatë lindjes janë më të lartat në rajon. Një tjetër protestë është shënuar dje edhe nga Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë. Përfaqësues të shoqërisë civile në Shqipëri, të grupeve të të rinjve dhe grave nga e gjithë Shqipëria kanë manifestuar në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke kërkuar më shumë të drejta dhe barazi.
Aktiviteti
Partia Socialiste nuk ka organizuar dje asnjë aktivitet për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsin. Kryesocialisti Edi Rama ditën e djeshme ka shmangur çdo aktivitet mediatik dhe urimi i vetëm është kryer nëpërmjet faqes së tij të internetit. Vite më parë, kryetari i Partia Socialiste, Edi Rama, kur kishte dhe postin e kryebashkiakut, ka organizuar rregullisht aktivitete festive për Ditën e 8 Marsit.