E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qiproja, muri i fundit i Evropës

U mbyll dje në ishullin e Egjeut takimi “Njerëzit dhe fetë" 2008, i organizuar nga komuniteti i Shën Egjidios

Nga Qiproja përfaqësuesit e feve ripohojnë forcën e shpirtit, të lutjes dhe të dialogut e të ndikimit që kjo forcë mund të ushtrojë edhe mbi politikën. Nikozia e shenjuar nga një ndarje që ka krijuar dy botë rrënjësisht të kundërta - e kjo jo aq për shkaqe fetare, sa për pabarazi shoqërore e kushte jetese - u shndërrua këto ditë në teatër takimesh ndërmjet udhëheqësve fetarë, gjë që është tipar dallues i takimeve të organizuara nga bashkësia e Shën Egjidit. Por kësaj here pritej diçka më konkrete, mbasi krahas takimeve rreth tryezave të rrumbullakëta dhe shtrëngimit të duarve ndërmjet imamëve, rabinëve, patrikëve dhe kardinalëve gjeti shteg edhe rruga e diplomacisë. Një delegacion i Shën Egjidit dhe i përfaqësuesve të ndryshëm fetarë u takua këto ditë me negociatorët e palës turke dhe të asaj greko-qipriote. Këto, së bashku me të dërguarin e Kombeve të Bashkuara, po bisedojnë që të gjendet një zgjidhje për Qipron, duke e zhveshur nga ana fetare këtë problem që është politik e territorial. Përveç kësaj, takimi ndërkombëtar bëri thirrje edhe për paqe në Tokën e Shenjtë, në Liban e në Irak; për mbështetjen që i duhet dhënë bashkësive të krishtera të martirizuara të Indisë e të shumë vendeve të tjera si edhe për të mos i harruar të varfrit, viktimat e para të krizës ekonomike ndërkombëtare. Takimi u mbyll me mesazhin e paqes dërguar botës nga të gjitha fetë dhe me thirrjen e Ingrid Betankur. Gjithashtu vëmendje e veçantë në takim iu kushtua edhe marrëdhënieve ekumenike. Mbi këtë temë jep mendimin e tij një prej personaliteteve kishtare të pranishme në Qipro, kard. Valter Kasper, kryetar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve: “Jemi në rrugë të mbarë me kishat ortodokse. Tani po bisedojmë mbi rolin e ipeshkvit të Romës gjatë mijëvjeçarit të parë në kishën universale. Pra, po flitet për primatin e Romës dhe ka një afrim të dukshëm, ndonëse nuk ka miratim të plotë. Pjesa tjetër është një hap i rëndësishëm. Edhe miqësia ndërmjet ipeshkvijve ortodoksë dhe ipeshkvijve katolikë po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme. Patriku ekumenik ka qenë tri herë në Romë deri tani. Kurrë më parë nuk kishte ndodhur kjo gjë në historinë e gjatë të Kishës. Gjërat po ecin edhe pse duhet shumë kohë. Dëshirojmë që populli të përfshihet dhe për këtë duhet shumë kohë, për të ndryshuar, pra, mendësinë e popullit. Kemi bërë shumë hapa gjatë 40 viteve të fundit dhe mund të ecim me shpresë drejt së ardhmes. Kam përshtypjen se Shpirti i Shenjtë vepron pas gjithë kësaj lëvizjeje dhe na shtyn të ecim përpara me gjithë vështirësitë, që janë të zakonshme për jetën e njeriut. E, edhe të gjitha këto vende, që ishin të izoluara e që përjetuan komunizmin, sot duan të hyjnë në Bashkimin Evropian. Të rinjtë janë më të hapur e mendoj se kësaj here rrethanat politike janë në favorin tonë. Në të kaluarën politika na ka ndarë, tashmë politika po na shtyn të bashkohemi. Kemi përpara të njëjtat sfida, katolikë e ortodoksë, e kështu që duhet t’iu përgjigjemi bashkërisht”.
Impenjimi i ipeshkvijve të Libanit për paqen dhe pajtimin kombëtar/Bejruti të kthehet në një qendër botërore për dialogun ndërmjet kulturave. Plani ambicioz i presidentit libanez Mishel Sulejman, që iu propozua OKB-së gjatë konferencës për dialogun ndërmjet feve dhe qytetërimeve, u përqafua edhe nga Kisha libaneze. Siç lexohet në deklaratën përfundimtare të asamblesë së 42-të të patrikëve dhe ipeshkvijve katolikë të Libanit që u mbyll dje, prelatët mbështesin përforcimin e institucioneve të vendit si edhe fillimin e pajtimit kombëtar duke bërë thirrje për falje dhe kapërcimin e përçarjeve që shkaktuan 30 vjet gjakderdhje. Ipeshkvijtë katolikë libanez, duke folur gjithnjë për situatën në vend, shprehën shqetësimin e tyre për krizën ekonomike që ka mbërthyer Libanin dhe për emigrimin gjithnjë në rritje të të rinjve si pasojë e papunësisë që ka arritur nivele të larta. Më tej në deklaratë nënvizohen vuajtjet e popullit libanez, i cili me gjithë problemet që ka, po strehon me mijëra e mijëra refugjatë. Deklarata e ipeshkvijve të Libanit vijon me një thirrje të fortë drejtuar Lidhjes Arabe dhe Bashkësisë Ndërkombëtare që të punojnë për mbrojtjen e të drejtave themelore të të krishterëve në Irak, që janë detyruar të braktisin vatrat familjare e të kërkojnë strehë në vendet fqinje si Siria, Jordania e Libani. Thirrje i bëhet edhe popullit libanez që të mikpresë e të ndihmojë vëllezërit e tij irakianë sipas traditës historike të Libanit, një vend ku kanë gjetur strehë të gjitha popullsitë e persekutuara të Lindjes së Mesme. Në fund të punimeve të asamblesë së ipeshkvijve të Libanit u bë edhe vlerësimi i punës së Komisioneve të ndryshme ipeshkvnore dhe institucioneve katolike gjatë katër viteve të fundit për të filluar kështu edhe riorganizimin e tyre në nivel organizativ dhe baritor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›