“Plani i Ramës për Shqipërinë, të rrisë taksat dhe papunësinë”
Deputeti i PD, Gerti Bogdani
Partia Demokratike deklaron se plani i Edi Ramës për Shqipërinë, është ai i rritjes së taksave dhe papunësisë. Nisur nga komentet propagandistike të kreut të PS në Dibër, deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani u shpreh se, Rama e sheh Shqipërinë nga zyra e tij mavi, duke mos pasur asnjë lidhje me realitetin. “Z. Rama ka arritur një nivel të paprecedentë në serinë e llangosjes dhe sajesave që prodhon nga salloni mavi. Në botën e z. Rama, infrastruktura ka degraduar! Por të gjithë qytetarët janë të ndërgjegjshëm se sot rrugët janë më mirë se kurrë, se kemi 1.300 shkolla të reja dhe të rikonstruktuara, 400 spitale dhe qendra ambulatore të reja dhe rikonstruktuara, dhe infrastruktura sot është më mirë se asnjëherë më parë. Në të vërtetë, gjatë këtyre tetë viteve janë shtruar më shumë rrugë se në të gjithë historinë e kombit. Z. Rama trilloi se ‘për të ardhur këtu mu desh një kohë e gjatë’. Ndërkohë që në fakt koha e udhëtimit nga Tirana në Peshkopi jo vetëm është shkurtuar një orë, por tashmë ka përfunduar edhe gjysma e Rrugës së Arbrit e cila do ta bëjë distancën Tiranë – Peshkopi vetëm një orë udhëtim. Gjithsej, ne kemi asfaltuar 10.000 km rrugë që e kanë shkurtuar kohën e udhëtimit nga Tirana në pjesët e tjera të Shqipërisë, nga 1.5 deri në 3 herë. Z. Rama pretendon se kjo nuk është e mundur, dhe ai mund të jetë një matuf dy metrosh, por kjo s’do të thotë se venat e tij nuk mjaftojnë për të bërë xhiron e botës. Zotit Rama mund t’i jetë dashur një kohë kaq e gjatë për të shkuar në Peshkopi, sepse ka ndaluar rrugës për të bërë ciu-ciu. Z. Rama sot theu edhe rekordin e tij personal duke bërë shpikjen më të madhe të njerëzimit. Ai shpiku makinën e kohës dhe udhëtoi poshtë e lartë e lartë e poshtë nga viti 1 432 e deri më sot, kur foli për regjistrimin e pronave. Në fakt, e vetmja gjë ende e paregjistruar sot në Shqipëri është fantazia e tij e sallonit mavi”, u shpreh Bogdani.
Deputeti demokrat theksoi se i vetmi plan i Edi Ramës për Shqipërinë, është ai i rritjes së taksave dhe papunësisë. “Por, të paktën Z. Rama u tregua i sinqertë për një gjë. Ai tha që plani i tij për një Shqipëri të zhvilluar, është ai që brenda dy viteve Z. Rama të ketë një plan të tillë. E vërtetë, plani i Z. Rama është që të ketë një plan. Sepse Z. Rama nuk ka asnjë plan përveç planit për të rritur taksat, gjë që do të rrisë papunësinë. Z. Rama është një mace e zezë për biznesin, investimet e huaja dhe zhvillimin e vendit. Partia Demokratike do të vazhdojë punën për të përmirësuar infrastrukturën e Shqipërisë dhe do të punojë për të ndërtuar një Shqipëri më të zhvilluar”, përfundoi Deputeti i PD-së, Gerti Bogdani.