Plani i paqes-Emisari i Trumpit takon Zelenskyn dhe liderët evropianë në Berlin këtë fundjavë

I dërguari special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe liderët e tjerë evropianë në Berlin këtë fundjavë.
Lajmin e ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë, ndërsa ky takim vjen teksa Uashingtoni shtyn përpara planin për t’i dhënë fund luftës së Rusisë me Ukrainën.
Që nga bërja publike e planit me 28 pika, që është akuzuar se pasqyron kërkesat kryesore të Moskës – përfshirë dorëzimin e territoreve të rëndësishme nga Ukraina – Trump ka rritur presionin ndaj Kievit për të arritur një marrëveshje.
Plani 28-pikësh ka shkaktuar një valë diplomacie intensive mes SHBA-së dhe aleatëve evropianë të Ukrainës.
Zyrtarë ukrainas thanë së fundmi se i kanë dërguar Uashingtonit një version të përditësuar të planit.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi për AFP saktësinë e raportimit të Wall Street Journal se emisari Steve Witkoff do të takohet me Zelenskyn dhe liderët evropianë gjatë fundjavës për të diskutuar statusin e negociatave të paqes.
Qeveria gjermane ka njoftuar se Berlini do të presë liderët, përfshirë krerët e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, të hënën – menjëherë pas pjesëmarrjes së Zelenskyt në një forum biznesi gjermano-ukrainas me kancelarin Friedrich Merz.
“Në versionin më të fundit të planit të udhëhequr nga SHBA-ja, Ukraina do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian që në janar 2027”, tha një zyrtar i lartë për AFP në kushte anonimiteti.
Procesi i komplikuar i anëtarësimit në BE zakonisht zgjat vite dhe kërkon votë unanime nga 27 vendet anëtare.
Disa shtete, sidomos Hungaria, kanë shprehur kundërshti të vazhdueshme.
Ukraina ka aspiruar prej kohësh për në BE dhe ka luftuar për të zhdukur korrupsionin endemik – një kusht kyç për anëtarësim.
/rtsh.al/