E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta antiqeveritare në Rumani-Tubim masiv në Bukuresht kundër korrupsionit në sistemin gjyqësor

Rumania nuk gjen paqe. Në Sheshin “Victoria” në Bukuresht dhe në qytet të tjera mijëra njerëz dolën në rrugë për të protestuar kundër, siç e quajnë ata, korrupsionit të rrënjosur në sistemin e drejtësisë.

Demonstratat e nisura që të mërkurën u nxitën nga publikimi i një hetimi nga platforma “Recorder”, e cila solli dëshmi tronditëse nga gjyqtarë dhe prokurorë për ndërhyrje dhe presione nga nivelet më të larta të pushtetit.

Protestuesit kërkuan masa të shpejta për të zgjidhur problemet e raportuara nga gazetarët dhe kërkuan dorëheqjen e Presidentes së Gjykatës së Lartë Lia Savonea, ministrit të Drejtësisë Radu Marinescu, Ministrit të Brendshëm Catalin Predoiu dhe Kryeprokurorit Kundër Korrupsionit Marius Voineag.

Ata shprehën mbështetje për gjyqtarët që kanë denoncuar publikisht abuzimet dhe kërkuan mbrojtje për ta. “Shoqëria civile nuk e pranon një sistem që është i korruptuar në thelb dhe i projektuar për t’u manipuluar nga brenda” – u shpreh për AFP-në një nga protestuesit.

Sloganet kryesore të tubimit ishin  “Drejtësi, jo korrupsion” dhe “Dorëheqje”. Protestat vijnë pas publikimit më 9 dhjetor të një dokumentari nga portali i pavarur investigativ “Recorder”, të titulluar “Drejtësi e Kapur”, i cili pretendon mbylljen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë, lirimin nga akuzat të të pandehurve të lartë dhe ndikimin politik në gjyqësor.

Gazetare: Vjollca Zhari

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›