Plani i sherrit

Çfarë parasheh marrëveshja Beograd-OKB?
Gazeta serbe “Blic” sjell detaje nga marrëveshja e Beogradit me Kombet e Bashkuara. Sipas kësaj marrëveshjeje, policia në mjediset serbe mbetet në zinxhirin aktual komandues dhe do të mbikëqyret nga policia ndërkombëtare. Plani me 6 pika i sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, nuk ka shanse të jetë i pranueshëm për Kosovën, pasi këtë krahinë etnike të Shqipërisë, e pavarur prej Serbisë që më 17 shkurt të këtij viti, tashmë plani i presidenti Marti Ahtisari e ka përvijuar si shtet. Plani është shndërruar në një sherrnajë të re për këtë krahinë të Shqipërisë, që ndodhet nën presionin kryesisht të evropianëve, që ia dhanë Serbisë më 1913.
Plani i Ban Ki Munit
Gazeta “Blic” shkruante se emërimin e oficerëve serbë e inicion shefi i UNMIK-ut. Sa i përket doganës, në të do të kthehen doganierët ndërkombëtarë në pikat kufitare në veriun e vendit dhe do të zbatohen procedurat në përputhje me rezolutën 1244, përfshirë edhe protokollin midis Serbisë dhe Shërbimit Doganor të UNMIK-ut. Hapet edhe një pikë në Kamenicë. Gazetës iu referua dje Radiotelevizioni i Kosovës. Sipas planit, pjesa më e madhe e të ardhurave nga doganat u shkojnë autoriteteve lokale, ndërsa vetëm një pjesë e vogël pushtetit qendrore. Në lidhje me gjykatat thuhet se në veriun e Mitrovicës ato do të funksionojnë nën kontrollin e UNMIK-ut. Gjykatësit dhe prokurorët lokalë do të emërohen në pajtim me rezolutën 1244. Kufijtë do të vazhdojnë të mbrohen në bazë të mandatit ekzistues të sigurisë nga NATO-ja në pajtim me rezolutën 1244. Ndërkaq, sa i përket mbrojtjes së trashëgimisë kulturore e fetare serbe, duhet vazhduar dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe duke e përfshirë në dialog edhe kishën serbe. E njëjta gazetë shkruan se e ashtuquajtura Ministri serbe për Kosovën tashmë ka iniciuar themelimin e një kompanie të veçantë, e cila me energji elektrike do të furnizonte enklavat serbe në Kosovë, ka pohuar kryetari i të ashtuquajturës “Qendër koordinuese”, Zvonimir Steviç. “Kemi iniciuar ndryshimin e marrëveshjes teknike të Serbisë dhe UNMIK-ut që të krijohet një kornizë për formimin e një ndërmarrjeje të veçantë për furnizimin me energji elektrike jo vetëm të zonave të banuara me popullsi shumicë serbe, por edhe të mjediseve joshqiptare në Kosovë”, ka thënë Steviq.
Thaçi: “I papranueshëm”
Kryeministri Hashim Thaçi, tha dje, se qëndrimi i institucioneve të Kosovës është shumë i qartë dhe se elementet substanciale të gjashtëpikëshit janë të papranueshme për Kosovën. Ndërkaq, të mërkurën në mbrëmje vonë, liderët institucionalë, pas takimit me përfaqësuesit e vendeve të grupit të kontaktit dhe me përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, Piter Fait, po ashtu kanë hedhur poshtë planin e Ban Ki Munit. Dje, gjithashtu, vazhduan takimet e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës me përfaqësuesit e vendeve të grupit të kontaktit dhe atë të BE-së, lidhur me kushtet për vendosjen e EULEX-it.
BE presion Prishtinës
Ndërkohë, shtypi gjerman, të cilit gjithashtu iu referua RTK-ja, raportoi dje se Bashkimi Evropian i ka dhënë afat deri sot udhëheqjes së Kosovës për të përcaktuar qëndrimin mbi planin e sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, për misionin EULEX. Gazeta “Frankfurter Rundshchau” që në titull të shkrimit për Kosovën, njofton se BE i ka kërkuar udhëheqjes së Kosovës që të japë pëlqimin për vendosjen e EULEX-it. Gazeta tjetër “Die Welt” shkruante se përkundër pengesave që janë shfaqur ditëve të fundit, Bashkimi Evropian vazhdon me kursin e anijes drejt Kosovës. Bëhet e ditur se tashmë 600 zyrtarë evropianë kanë zbarkuar në Kosovë. Çdo javë zbarkojnë nga 80 zyrtarë të tjerë. Sipas burimeve të EULEX-it, të cilave u referohet gazeta “Die Welt” deri në dhjetor, në Kosovë do të numërohen të kenë zbarkuar 1400 pjesëtarë të misionit evropian, që konsiderohet si më i madhi në historinë Bashkimit Evropian.