E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platini, ndihmë futbollistëve të vegjël

Mishel Platini e ka nisur sezonin 2008-2009 me një lajm të mirë për federatat e ndryshme evropiane. Presidenti i UEFA-s hodhi idenë që, me ndihmën e specialistëve, u kthye në një skeme të plotë, emërtuar “Skema e Grupeve Studimore të UEFA-s”. Thelbi i saj është marrja e përvojës së federatave më të përparuara nga federatat më të vogla dhe të varfra, nëpërmjet vizitave të grupeve të punës (grupeve studimore).

Ekipet e moshave dhe ato të femrave besohet se do të jenë përfituesit më të mëdhenj të skemës së UEFA-s, pasi grupet studimore do të marrin përvojë të stërvitjes. Një federatë më pak e përparuar do të dërgojë për 4 ditë një grup pune në një federatë më të përparuar, grup që do të përbëhet nga 5-11 vetë, përfshi shpeshherë edhe një përkthyes. Me t’u kthyer në vendin e tij, grupi i punës do të punojë si “shumëfishues”, pra për ta transmetuar përvojën e marrë teksa më shumë kolegë që të jetë e mundur.

Federata e parë e përparuar që priti vizitorë ishte ajo austriake, pasuar nga Danimarka dhe Norvegjia. Në federatën norvegjeze vizitorë ishin delegacionet nga Letonia, Lituania dhe Bjellorusia. Siç bën të ditur faqja zyrtare e federatës letoneze të futbollit (lff.lv), në katër ditë u diskutuan çështje të zhvillimit të futbollit të të rinjve (futbolli i rrënjëve siç quhet nga UEFA).

Në grupin e federatave që duhen ndihmuar është edhe Shqipëria, që ka mundësinë pra, të dërgojë deri tre ekipe pune në vit në federata më të përparuara. Shqipëria pritet të përfitojë fondet për 12 fusha stërvitore, që do të plotësonin nevojat e Kategorisë Superiore, madje “do të tepronin” edhe për Kategorinë e Parë.

Norvegjia është ndër “kampionët” e Evropës në ndërtimin e fushave stërvitore anembanë vendit dhe Letonia kërkon të përfitojë për ndërtim minifushash apo organizim të punës vullnetare nëpër klube. Pjesë e vizitës ishte ndjekja e stërvitjeve të ekipeve të djemve dhe vajzave në klubet Valerenga dhe Skeid. “Skema e Grupeve Studimore të UEFA-s” do të vazhdojë deri në vitin 2012 dhe federatat pritëse do të kenë deri tri vizita në vit. Janë parashikuar 157 seminare vetëm për këtë sezon dhe gjithsej 628 të tillë  deri në vitin 2012.

Norvegjia vërtet është një shembull. Presidenti i federatës norvegjeze të futbollit, Sondre Këfjord, shpjegon se synimi i tyre ka qenë gjithnjë shumëzimi i fëmijëve që merren me futboll. Në një vend me më pak se 4.8 milionë banorë, plot 365 000 fëmijë luajnë futboll, nga të cilët 100 000 vajza. Gati 10 për qind e popullsisë pra aktivizohet në futboll, ndërsa kjo përqindje mes fëmijëve mund të jetë edhe 30 apo 40 për qind.

Pavarësisht nga polemikat që ka krijuar me deklarimet e tij, Mishel Platini duket se një të drejtë e ka. Ai është i shqetësuar për nivelin e zhvillimit të futbollit të moshave dhe ky shqetësim gjen mbështetje tek Sër Trevor Bruking nga Anglia. Bruking, një ish-legjendë në fushë në vitet 70-të e 80-të, është drejtor futbolli në federatën angleze, por nuk ngurron të sulmojë vetë punëdhënësen e tij.

“Ne duhet të kemi thellësi më të madhe lojtarësh të rinj në Angli, - thotë ai për BBC-në. - Ne nuk po shfrytëzojmë siç duhet mundësitë tona. Dua që të kemi ndikim më të madh në grupet e moshave 5-11 veç dhe 11-16 vjeç. Pikërisht në këto sektorë ne jemi më prapa se pjesa tjetër e botës”. Bruking kërkon më shumë infrastrukturë dhe më shumë fonde të klubeve në këtë drejtim.

“Klubet tonë të futbollit janë shumë më të pasur se më parë, - vazhdoi ai, - por këto 10 vjet unë nuk shoh ndonjë përfitim të ekipeve të moshave nga kjo. Kemi dy vjet e gjysmë që po rrahim ujë në havan. Kemi disa shembuj shumë të mirë të punës me fushat dhe me trajnerët, por shumë nga klubet e tjerë janë prapa, sidomos klubet më të vegjël. Federata mund t’i ndihmojë, duke u treguar se çfarë po bëhet në klubet më të përparuar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›