E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani i zhvillimit te qytetit para ndertuesve dhe biznesmeneve

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha zhvilloi sot konsultime me përfaqësuesit e shoqatave të ndërtimit dhe të biznesit, në lidhje me planin e zhvillimit urban të qytetit.
Duke vlerësuar punën e grupit të punës për hartimin e draftit në një kohë rekord, Basha tha se plani i zhvillimit të qytetit garanton transparencë dhe parashikueshmëri për të ardhmen.

Kryebashkiaku tha se ndërtuesit janë dhe duhet të jenë lokomotiva e zhvillimit të vendit, prandaj është e qenësishme pasja e një plani zhvillimi që të garantojë interesat e tyre, por që të garantojë dhe harmoni të plotë me interesat e qytetarëve dhe qytetit në përgjithësi. 

Në një analizë të shkurtër të asaj se çfarë ka ndodhur vitet e fundit në Tiranë, Basha vlerësoi  se shtimi i popullsisë dhe ndërtimi pa kriter kanë bërë që Tirana të humbasë disa asete të saj, siç është gjelbërimi, hapësirat publike, infrastruktura rrugore dhe sociale. Për këtë arsye, plani i zhvillimit të qytetit parashikon rritjen e këtyre hapësirave,  për t’iu afruar standardeve evropiane.

Ekspertët e grupit teknik kanë shpjeguar më tej në mënyrë më të detajuar përpara ndërtuesve dhe biznesmenëve, se si do të zhvillohet Tirana në të ardhmen dhe cilat do të jenë mundësitë që ofrohen.

Kryetari i shoqatës së ndërtuesve të Tiranës, z. Avenir Kika ka vlerësuar bashkëpunimin me Bashkinë dhe përfshirjen e tyre, që në hapat e parë të hartimit të draftit. Z.Kika çmoi në veçanti transparencën e treguar dhe rëndësinë që ka plani, për zhvillimin e biznesit.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, z. Nikolin Jaka u shpreh se partneriteti që ka gjetur Dhoma me Bashkinë i shërben zhvillimit të biznesit dhe qytetit në tërësi.

Pas konsultimeve me banorët e Tiranës në 11 njësitë vendore, ky i sotmi me grupet e interesit ishte dhe konsultimi i fundit, përpara se plani i zhvillimit të paraqitet për miratim në Këshillim Bashkiak, në datën 24 dhjetor të këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›