E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plani per integrimin e veriut, Beogradi: Nuk njohim GNK-ne

BEOGRAD- Bogradi reagon kundër deklaratës përfundimtare të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, të cilët pas takimit të djeshëm në Vjenë, deklaruan mbështetje për planin e integrimit të veriut.Ministri serb për Kosovën Goran Bogdanovic ka reaguar ashpër për takimin e djeshëm në Vjenë i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën. Bogdanovic tha sot në Beograd se përfundimet e takimit nuk janë të detyrueshme dhe se ato janë të pavlefshme duke nënvizar se Serbia nuk e njeh Grupin Ndërkombëtar të Krizave. Në një deklaratë për agjencinë e lajmeve Tanjug, Bogdanovic thotë se kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith “ është përpjekur që në fillimet e tij të implementojë planin e Ahtisarit, të cilën Serbia nuk e pranon dhe Kombet e Bashkuara nuk kanë dështuar për ta pranuar.” Bogdanovic vlerëson se funksioni i dyfishtë i Piter Feith, si në krye të ICO, dhe përfaqësues special i BE-së në Kosovë, është “pengesa kryesore për bashkëpunimin në këtë fushë” Ministri akuzon Feith “se ka abuzuar me qëllim me rolin e tij të dyfishtë, duke u referuar në rolin që i përshtatej më shumë”. Bogdanovic shtoi se një punë dhe qasje e tillë e Feith mund të shkaktojë vetëm tension, keqkuptim dhe konfuzion. Sipas Bogdanovic,Feith është përpjekur në mënyrë të vazhdueshme të krijojë konflikt mes serbëve të Kosovës në të mirë të Prishtinës, dhe qeverisë kosovare. Bogdanovic thotë se plani për integrimin e veriut është hapi i fundit Feith në serinë e hapave që ky i fundit ka ndërmarrë, duke vlerësuar se ai është drejtuar për të ndryshuar realitetin, të krijojë tension, konfuzion; cka do të përbënte një kërcënim për stabilitetin në rajon. Ministri shkoi më tej duke shtuar se Feith dhe të gjithë ata që e mbështesin planin e tij “ duhet të jenë të vetëdijshëm se nuk do të gjejnë asnjë serb në veri të Kosovës i cili do të ndihmojë në realizimin e këtij plani të rrezikshëm, dhe se ato do të paguajnë konsekuencat që do të vijnë nga përpjekja për të implementuar këtë plan.” “Implementimi i planit të Ahtisarit nuk është dhe kurrë nuk do të jetë i pranueshëm nga Beogradi”- përfundoi Bogdanovic. Nga ana tjetër Sekretari shteteror ne ministrine serbe per Kosoven, Oliver Ivanovic reagon me nje ton me te bute. Ai thotë se vendimi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave për të mbështetur planin për integrimin e veriut nuk ishte i habitshëm. Ai shtoi se mbështetja e GNK për planin e Feith për integrimin e veriut sipas planit të Ahtisarit ishte i pritshëm. Grupi, që përbëhet nga përfaqësues të 25 vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u mblodhen dje  në prag të dyvjetorit të funksionimit të Kosovës si shtet për të vlerësuar përparimet e bëra në zbatimin e planit të Ahtisarit. Integrimi i të gjitha komuniteteve në shoqërinë kosovare, sidomos i atij serb, u vlerësua si sfidë kyçe për të siguruar të ardhme të qëndrueshme dhe për të forcuar demokracinë në Kosovë. Përmes një komunikate për media, Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën u bëri thirrje të gjitha palëve, përfshirë edhe Republikën e Serbisë, që të luajnë rol konstruktiv për të siguruar kushte më të mira për jetesë në veri të Kosovës. (s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›