E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina mirepret deklaraten e GNK-se per integrimin e veriut

PRISHTINE- Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, ka thene se bashkësia ndërkombëtare asnjëherë nuk ka treguar mbështetje më të fuqishme se sa tani për të ndihmuar institucionet e Kosovës në integrimin e veriut të saj. Deklarata e tij vjen pas takimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar të mbajtur të hënën në Vjenë. Në këtë takim, ku mori pjesë edhe kryeministri Hashim Thaçi dhe një pjesë e kabinetit të tij qeveritar, ky mekanizëm theksoi mbështetjen e tij të plotë për vendosjen e ligjshmërisë në veri të Kosovës dhe i kërkoi Serbisë të ketë një qasje konstruktive në këtë drejtim. Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, duke folur nga Vjena e vlerësoi lart përkrahjen që mori Prishtina zyrtare në përpjekjet e saj për të ndryshuar realitetin në Kosovën Veriore, e cila për një dekadë ka mbetur jashtë kontrollit të institucioneve vendore. “Strategjia e ka mbështetjen e plotë të tërë faktorit ndërkombëtar relevant dhe është koha e pjekur dhe e domosdoshme që të lëvizet në implementimin e saj të mirëfilltë. Mendoj që asnjëherë bashkësia ndërkombëtare nuk ka treguar interes më të fuqishëm se sa kësaj here që t’i mbështesë institucionet qëndrore të Republikës së Kosovës në integrimin e veriut të saj”, deklaroi për BBC-në ministri Hoxhaj. Ai tha se do të ketë disa takime të tjera ndërmjet zyrtarëve ndërkombëtare dhe vendorë për të bashkërenduar aktivitetet për zbatimin e strategjisë për integrimin e veriut. Hapi i parë në këtë drejtim do të jetë mbajtja e zgjedhjeve për komunën e Mitrovicës Veriore. Ministri Enver Hoxhaj tha se qeveria pret edhe mbështetje financiare nga komuniteti ndërkombëtar për jetësimin e planit që synon vendosjen e ligjshmërisë në veri të Kosovës. “Qeveria e Kosovës do të krijojë një fond të posaçëm për integrimin e veriut por, njëkohësisht, edhe shumë organizata të ndryshme, shumë shtete partnere do të jenë pjesë e implementimit të saj. Do të varet nga ajo se kush nga partnerët do të mund të japë kontributin e vet në fusha të caktuara, përderisa është prioritet i dorës së parë të qeverisë që kjo strategji të mbështetet edhe në rafshin politik, edhe legal, edhe financiar”, u shpreh Ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Enver Hoxhaj. Ndërkohë, zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Andy McGuffie, ka thënë se ka një numër nismash që po ndërmerren për t’ia shtrirë dorën qytetarëve serbë në veri dhe sipas tij një pjesë tashmë ka filluar të zbatohet. Hapi i parë sipas tij është hedhur me formimin e ekipit komunal përgatitor për formimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore me shumicë serbe. Por z. McGuffie nuk ka dashur të thotë nëse Zyra Civile Ndërkombëtare do të jetë autoriteti kryesor për zbatimin e strategjisë së veriut dhe çfarë roli do të luajë Prishtina dhe Beogradit në këtë mes. “Kjo është një nismë e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe qeverisë së Kosovës për të përmirësuar cilësinë e jetës për njerëzit në veri të Kosovës dhe në këtë drejtim po punohet. çdo palë tjetër që do të dëshironte të luante rol konstruktiv, do të ishte e mirëseardhur”, është shprehur z. McGuffie. Beogradi zyrtar ka kundërshtuar planin e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare në Prishtinë për shtrirjen e pushtetit të tyre në veri të Kosovës. Sekretari shtetëror në qeverinë serbe, Oliver Ivanovic, ka thënë se nuk mund të flitet për integrim të veriut në Kosovën e pavarur, por vetëm për “integrim të Kosovës në Serbi”. (BBC/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›