Pipero: Në Librazhd nuk ka shpërthim epidemie – po hetojmë shkaqet e vdekjes së 21 vjeçares

Flet drejtori i Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero: Qytetarët të bëjnë kujdes, virozat e stinës po shoqërohen me komplikacione të rënda
“Situata në qytetin e Librazhdit, ku pak ditë më parë humbi jetën një 21 vjeçare për shkak të virozave dhe 2 të tjerë u shtruan më pas në spital, është e qetë dhe nën kontroll”. Kështu u shpreh sot në një konferencë për mediat drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. “Situata epidemiologjike në qytetin e Librazhdit është e qetë, nuk kemi shpërthim epidemiologjik, nuk kemi sëmundje infektive nga ato që shkaktojnë epidemi në më shumë se një rast”, u shpreh Pipero, duke theksuar se nuk ka vend për panik, apo hamendësime lidhur me situatën. “Ka një rast humbje jete në një vajzë 21 vjeçare, rast nën hetim mjekësor, nën kuptimin e ekzaminimeve të mëtejshme laboratorike nga monstrat e gjakut që janë marrë dhe janë në proces”, tha Pipero, duke sqaruar se një grup specialistësh të Institutit të Shëndetit Publik, në përbërje të të cilit ka dhe mjekë infeksionistë, që kanë vajtur në spitalin e Librazhdit, por janë dhe në vatër, për të analizuar situatën. Nga të dhënat paraprake të specialistëve mendohet për një infeksion bakteror (meningit), megjithatë priten konkluzionet e specialistëve për të dhënë rezultatin përfundimtar. Lidhur me dy rastet e shtruara në spital, Pipero tha se sapo kanë dalë nga spitali. “Vajza ishte me angina folikulare, pra me bajame të qelbëzuara dhe është mjekuar e shëruar, i vëllai i saj në moshë më të rritur ishe me gastroenterit (bark e të vjella) dhe është stabilizuar dhe ka dalë nga spitali”, sqaroi drejtori i Politikave Shëndetësore, duke theksuar se “nuk kemi raste të reja dhe sidomos nuk ka raste që të kenë lidhje shkakësore me rastin e pare”. Ai u ndal dhe në situatën epidemiologjike të virozave gripale, duke bërë me dije se “jemi në një situatë virozash të shtuara, jemi në një situatë gripale, ç’ka do të thotë se vëmendja e qytetarëve duhet të jetë e shtuar për masat e zakonshme për t’u mbrojtur nga rastet që manifestojnë shenja gripi, apo për t’u kujdesuar që në rastin më të parë nëse kanë shenja të ngjashme me gripin si temperaturë e lartë, kollë, etj”. “Numri i rasteve me simptoma gripale është mbi 14 mijë në javë, ç’ka do të thotë se kemi hyrë në sezonin e fillimit të epidemisë së gripit, ndaj kujdesi i qytetarëve duhet të jetë i shtuar për të mos u infektuar, apo për t’u paraqitur tek mjeku në rastin më të parë kur ka simptoma të gripit stinor”, përfundoi Pipero.
...