E Shtunë, 31 Tetor 2026

Planifikohet rritje e pensioneve në Kosovë

Prishtinë, 22 gusht - Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq ka paralajmëruar se në Kosovë, në ujdi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, do të rriten pensionet, transmeton radio KIM nga Graçanica.

“Ndonëse shumica e vendeve ballafaqohen me vendimin e FMN-së që të ndryshojnë ligjet e tyre pensionale, që do të thoshte edhe ngritje të pensioneve, Qeveria e Kosovës po përpiqet që këtë problem ta zgjidhë në mënyrë adekuate”, ka thënë Rashiq.
 
“Nuk do të ketë rritje (drastike) të ndjeshme të pensioneve, por rritje do të ketë”, ka sqaruar ai.
 
Sipas fjalëve të tij, me miratimin e ligjit të ri për pensionet do të zgjidhet edhe statusi i pensionistëve, status ky që deri tashti ka funksionuar sipas rregullores së UNMIK-ut.

Ai ka shtuar se ligji i ri me të cilin do të rregullohen të ardhurat e pensionistëve do të miratohet deri në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit 2011.
 
Sipas të dhënave të ministrisë së Punës dhe Mirëqenies sociale, në Kosovë janë 35 700 familje që shfrytëzojnë ndihmat sociale, në mesin e të cilave edhe 4 200 nga bashkësia serbe.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›