E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushqim apo karburant?

Teksa vizitonte pak kohë më parë Antarktidën, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun (Moon) i bëri përshtypje shkrirja e akujve që pa këtu. Pastaj ai vizitoi Brazilin, ku e mahniti përdorimi i biokarburantit nga çereku i gjithë autotransportit të këtij vendi. Vaji i kolzës mund të përdoret si karburant diezeli, meqenëse nga misri dhe kallam sheqeri nxirret etanol, që zëvendëson benzinën.
OKB-ja dhe shumë vende të botës ndajnë zyrtarisht pikëpamjen se biokarburanti është një nga alternativat në luftën ndaj ndryshimit të klimës. SHBA-ja subvencionon bujarisht prodhimin e etanolit nga misri, vëllimet e të cilit aktualisht rriten me 12 për qind në vit dhe pothuaj me 10 për qind në të gjithë botën. Vendet e BE-së ndanë 3,7miliardë euro si subvencione për prodhimin e biokarburantit në vitin 2006 dhe shpresojnë të marrin 8 për qind të të gjithë karburantit për automjetet nga burime biologjike në vitin 2015 dhe 20 për qind në vitin 2020. Protokolli i Kiotos u lejen vendeve të arrijnë objektivat e vendosur prej tyre për reduktimin e çlirimit të CO2-shit, duke zëvendësuar karburantet e nxjerra nga nafta me biokarburante.
Por a është realisht strategji e mençur dhe e pranuar etikisht, që më mirë të djegësh produktet ushqimore sesa t'i përdoresh për t'u ushqyer? Nëse do të lejojmë përdorimin e produkteve ushqimore për të prodhuar biokarburante, çmimet e ushqimeve do të jenë të lidhura me çmimin e naftës, sikurse deklaroi me gëzim kryetari i Shoqatës së Fermerëve Gjermanë. Në të vërtetë, çmimet e ushqimeve janë në rritje sot në Evropë, pasi gjithmonë e më shumë tokat bujqësore po përdoren për prodhim biokarburantesh se produktesh ushqimore.
Kjo nuk është e qëndrueshme. E ashtuquajtura krizë e tortilës, që çoi në protesta në Meksiko, në janar, na paralajmëron se ç'na pret në të ardhmen. Çmimet e misrit, gjysma e të cilit importohet nga SHBA, u rritën më shumë se dyfishin gjatë vitit, kryesisht për shkak të prodhimit të bio-etanolit. Meksika u përpoq ta zgjidhë problemin duke vendosur çmim tavan të rregulluar nga shteti për tortila (lloj piteje meksikane) misri, të kombinuar me importe misri pa doganë (duty-free).
Problemi qëndron në atë se, ithtarët e reduktimit të efektit serë me anë të përdorimit të biokarburanteve nuk kanë sqaruar se në cilat toka duhet të kultivohen. Në parim, sigurimi i tokës për kultivimin e biokarburanteve, është i mundur me tri mënyra: me heqjen e saj nga shfrytëzimi për prodhimin e ushqimeve dhe foragjereve, me heqjen e saj nga shfrytëzimi për materiale natyrore, në veçanti të lëndës drunore, ose me heqjen e tokës nga natyra.
Perversiteti i alternativës së parë, është i dukshëm: në botë nuk ekziston tepricë prodhimi ushqimor. Ata që dëshirojnë të kultivojnë biokarburante në tokë, e cila më parë është përdorur për prodhim ushqimesh, duhet të kuptojnë se kjo çon në rritjen e çmimeve të ushqimeve, gjë që godet njerëzit më të varfër.
Saktësisht po ashtu, kultivimi i bimëve, që shkojnë për prodhim biokarburantesh, në toka, të cilat në rast të kundërt do të përdoreshin për prodhim materialesh ndërtimi ekologjikisht të pastra, do të çojë në rritjen e çmimeve për këto materiale dhe do të nxisë zëvendësimin e tyre me materiale jo të qëndrueshme ekologjikisht, sikurse janë betoni dhe çeliku. Kjo mundet dhe të mos shkaktojë kundërshtime për arsye etike dhe social-politike por, sigurisht, nuk do të ndihmojë në mbrojtjen e mjedisit.
Druri thith karbon, në saje të fotosintezës. Për rrjedhojë, sa më shumë dru në tokë në formë pemësh të gjalla dhe lëndësh ndërtimi prej druri në ndërtesa, aq më pak CO2 në atmosferë dhe aq më i freskët do të jetë planeti i Tokës. Kështu, përdorimi i tokës për kultivim biokarburantesh në vend të pemëve do të shënojë përshpejtimin e ngrohjes globale, sepse kulturat bimore, që shkojnë për prodhim biokarburantesh, thithin më pak karbon se pemët.
Duhet vënë në dukje se është i mundur dhe efekti pozitiv në klimën botërore, përderisa biokarburanti mund të zëvendësojë karburantin e naftës në proceset e djegies. Por kjo presupozon se sheikët e naftës do të nxjerrin më pak naftë, sepse në botë paska më shumë biokarburant. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë nuk do të ketë efekt pozitiv. Çmimet për karburantet e naftës në tregun botëror, thjesht do të jenë më të ulëta se ç'do të ishin në rastin e kundërt, meqenëse konsumi i përgjithshëm i karburanteve të naftës dhe atyre bio do të rritet sipas sasisë së biokarburantit të prodhuar.
Mbetet vetëm një alternativë, ajo e shfrytëzimit të tokës, të përdorur më parë për qëllime komerciale. Por një tokë e tillë rëndom është e pyllëzuar. Zëvendësimi i pyjeve me misër, kolëz vajëse (raps / lat. brassica napus var.oleifera DC) ose me kultura të tjera vajore, zvogëlon rezervat e biomasës dhe çon në rritjen e përqendrimit të CO2-shit në atmosferë. Brazili ka pastruar territore të mëdha në xhungla për të prodhuar bio-etanol, fakt që i paska lënë kaq përshtypje Sekretarit të Përgjithshëm. Duke vepruar kështu, vendi (Brazili) i ka sjellë në dëm të madh kauzës së luftës në ndryshimin e klimës.
Në të vërtetë, çdo vit, bota humb zona pyjore sa sipërfaqja e Irlandës. Efekti në atmosferë është i barasvlershëm me 18 për qind të emetimeve vjetore të CO2 - më shumë sesa çliron gjithë sektori botëror i transportit. Procesi i shpyllëzimit duhet të drejtohet në kah të kundërt dhe të mos përshpejtohet.
Në tërësi, nuk ka kuptim të përdoret toka për prodhim biokarburantesh. Nga pikëpamja e politikës mjedisore dhe sociale, është i përligjur vetëm prodhimi i biokarburanteve pa përdorur tokë shtesë. Kjo do të nënkuptonte përdorimin e mbeturinave bujqësore dhe të tjera, të cilat, në rast të kundërt, thjesht dekompozohen, duke krijuar një sasi të barabartë CO2-shi dhe metani, edhe më të rrezikshëm se gazi serë.
Duhet të mbështetet një alternativë e tillë. Por duhet të ndalohet inkurajimi zyrtar i prodhimit të biokarburanteve në tokën, e cila mund të shfrytëzohet për qëllime të tjera.
*Hans-Verner Zin (Hans-Werner Sinn) është profesor i Ekonomiksit dhe Financës, Universiteti i Mynihut (Munich), si dhe President i Institutit të Studimeve Ekonomike (IFO)
Përktheu: Vladimir Mustaqi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›