Platini: Do të gjejmë një zgjidhje për KosovënPresidenti i UEFA-së: “Unë nuk merrem me politikë. Ne respektojmë statutin e UEFA-s. Është e qartë se Kosova nuk do të mund të zhvillojë ndeshje, sepse nuk janë të pranuar nga Kombet e Bashkuara. Do

RESHAT IBRAHIMI (Shkup)- Presidenti i UEFA-së, Mishel Platini, të mërkurën qëndroi për një vizitë njëditëshe në Maqedoni. Njeriu i parë i shtëpisë së futbollit evropian gjatë tërë ditës ka qenë i shoqëruar nga presidenti i FFM-së, Hari Haxhiristeski, nënpresidenti Rexhep Bexheti, sekretari i përgjithshëm Nikolla Kostov dhe zyrtarë tjerë të FFM-së.
Legjenda e futbollit francez në kryeqytetin e Maqedonisë pati një agjendë të ngjeshur. Ai ka vizituar përmendoren e futbollit, ku ka vendosur lule, me rastin e festimeve të 100 vjetorit të futbollit në Maqedoni. Më pas i ka bërë një vizitë të shkurtër edhe stadiumit kombëtar “Filip II”, për të parë rrjedhën e punimeve të tribunës veriore.
Gjithashtu, Mishel Platini ka pasur edhe një takim të përzemërt me kryeministrin e Qeverisë së Maqedonisë, Nikolla Gruevski, nga i cili është njoftuar për projektet në drejtim të përmirësimit të kushteve për zhvillim të sportit në Maqedoni, e posaçërisht futbollin. Pasi ka dëgjuar mirë e mirë Gruevskin, Platini ka shprehur kënaqësi për rezultatet e arritura, duke i uruar për mundin që po bën Qeveria e tij për afirmimin dhe zhvillimin e futbollit në Maqedoni.
Të dy janë pajtuar se do të vazhdojë bashkëpunimi i suksesshëm i deritanishëm me Federatën e Futbollit të Maqedonisë, me paralajmërim se UEFA do të investojë rreth 3 milion euro, si përkrahje për realizimin e projektit për ndërtim të qendrës për trajnim, që do ta shfrytëzojnë reprezentacionet e futbollit të Maqedonisë, prej të gjitha moshave. Pas takimeve me Haxhiristeskin dhe Gruevskin, Platini në orët e vona të pasdites kishte planifikuar të ndaj kohë edhe për gazetarët. Presidenti i UEFA-së, Mishel Platini një ditë më herët kishte vizituar edhe Beogradin.
Platini dëshiron zgjidhje për Kosovën
“Unë nuk merrem me politikë. Ne respektojmë statutin e UEFA-s. Është e qartë se Kosova nuk do të mund të zhvillojë ndeshje, sepse nuk janë të pranuar nga Kombet e Bashkuara. Do të dëshiroja që të gjendet një zgjidhje adekuate, që edhe të rinjtë e Kosovës të luajnë futboll”, ka thënë Platini për mediat serbe. Ai po ashtu ka thënë se Liga Rajonale tash për tash nuk mund të realizohet.
E Merkure, 04 Mars 2009