E Shtunë, 31 Tetor 2026

Platini: “Futbolli përballet me pastrim parash”

"Futbolli përballet aktualisht me probleme si pastrim parash, baste të jashtëligjshme, fiksimin paraprak të rezultatit, racizëm, doping madje edhe trafikim të atletëve të rinj nga Afrika dhe Amerika latine". Ky është alarmi i presidentit të UEFA-s, Mishel Platini. Këshilli i Evropës dhe UEFA i bëjnë thirrje federatave të futbollit të bashkëpunojnë me autoritetet e vendeve përkatëse për të luftuar korrupsionin në sport e sidomos në futboll. Dy zyrtarë të nivelit të lartë, Hoze Luiz Arno (Komiteti i Kulturës, Shkencës dhe Edukimit të Këshillit Europian) dhe Mishel Platini (UEFA) propozuan përpara Asamblesë Parlamentare në Strasburg rezolutën "11.467" për krijimin e Modelit Evropian të Sportit. "Ne jemi të shqetësuar për të ardhmen e kësaj fushe në gjirin e evropianëve dhe po punojmë për zgjidhjen e problemeve. Skandalet e fundit në disa vende evropiane që përfshijnë manipulimin e rezultateve të ndeshjeve ka dëmtuar seriozisht imazhin e sportit në Evropë. Disa mekanizma janë të nevojshëm për të reduktuar rrezikun e fiksimit paraprak të rezultatit, dhe formave të tjera të korrupsionit. Këto probleme do të kërkojnë edhe një angazhim më të madh të autoriteteve shtetërore", - thuhet në rezolutën e KE-së. Rezoluta mbështet autonominë e federatave dhe jo pavarësinë e tyre nga autoritetet shtetërore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›