Platini në shqip: “Faleminderit shumë”
Kjo ishte fraza e fundit e fjalimit prej gati 15 minutash që një nga legjendat më të mëdha të futbollit europian e botëror, Mishel Platini, tha në Tiranë. Një “faleminderit” për atë mbështetje që sipas tij Shqipëria u ka dhënë ideve të tij, me zgjedhjen si president i UEFA-s plot 18 muaj më parë (17 janar 2007). Një “faleminderit” për mikpritjen shqiptare, kënaqësinë që presidenti i parë i UEFA-s që zbret në kryeqytetin e një prej federatave të vogla të familjes prej 53 anëtarësh të qeverisë së futbollit europian. Një “faleminderit” që e përjetoi drejtpërdrejt edhe presidenti i Federatës të Futbollit të Kosovës, Fadil Vokri e dy ndihmësit e tij. Platini nuk mund të linte pa kujtuar edhe suksesin më të madh të tij si president i UEFA-s. “Më në fund ia dolëm të miratojmë edhe Kampionatin Europian me 24 skuadra, duke nisur nga ai i vitit 2016. Nuk do të isha aspak i befasuar nëse dhe Shqipëria do të bënte pjesë në këto finale. Presidenti i UEFA-s nuk ka lënë pa përmendur këtu edhe klimën e mirë që ekziston aktualisht mes FSHF-s dhe qeverisë. “Demokracie është shumë e rëndësishme. Ju treguat se ishit shumë të zotët për të mbrojtur shoqatën tuaj dhe autonominë e institucioneve sportive. E di që situata në Shqipëri nuk ka qenë e lehtë, por duket qartë se tashmë ajo është zgjidhur. Pata dje (të martën) një takim me Presidentin e Republikës, një tifoz i madh e i dashuruar pas futbollit, i cili më pohoi se gjërat po përmirësohen ditë pas dite”.
Një legjendë si trajneri i holandez i Shqipërisë, Ari Han, i pranishëm në sallë së bashku me ndihmësin e tij, Vim Surbier, nuk ka dyshim që e sjell në humor Platininë. “Futbolli shqiptar po përmirësohet, këtë gjë e tregoi dhe rezultati i ndeshjes së fundit në Portugali. Një ekip kombëtar shumë i mirë, që tregon edhe nga ana tjetër gjendjen e shëndetshme të një federate. Për këtë dua të falënderoj edhe trajnerin e Kombëtares suaj, të cilin e kam ndjekur që nga koha kur luante me Ajaksin e Amsterdamit. Isha i vogël dhe me bënin të ëndërroja. Për ta mbyllur i uroj suksese futbollit tuaj dhe rezultate pozitive. UEFA do të jetë gjithmonë në anën tuaj”, - përfundoi Platini, duke thënë në shqip edhe frazën e famshme që të gjithë të huajt e mësojnë shumë shpejt e thjesht. “Faleminderit shumë”. Në fund, edhe një shkëmbim flamujsh mes tij (UEFA-s) e mikut të tij, Armando (FSHF-së).
Humor francez
“Është hera e katërt që vij në Tiranë si zyrtar. Herën e fundit kam paraqitur idetë e mia për futbollin europian. Sot jam këtu si president i UEFA-s dhe është rasti t’ju falënderoj për mbështetjen. Shoh shumë entuziazëm midis jush”. Më pas batuta e radhës: “E di se e doni shumë futbollin. Kam ardhur edhe një herë si trajner i Francës, para 18 vitesh, për eliminatoret e Kampionatit Europian 1992 (17 nëntor 1990), por të them të drejtën nuk e mbaj mend rezultatin e ndeshjes”. (Shqipëria humbi 1-0.)
13 Nentor 2008