E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pikat që kundërshtojnë ish-ushtarakët për pensionet

Reagon Shoqata: Në dhjetor, sërish protesta për zbatimin e ligjit. Thoma Kanduri: “Qeveria nuk i përgjigjet dot shkeljeve që ka bërë me ish-ushtarakët”

Jonida Tashi

Ish-ushtarakët do t’i rikthehen protestave masive në shkallë vendi nëse qeveria nuk do të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për trajtimin e tyre me pension. Ky është vendimi i fundit i marrë dje nga kryesia e Shoqatës së ish-Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, në një mbledhje të organizuar me përfaqësuesit e ish-ushtarakëve në rrethe. Ish-ushtarakët kanë përcaktuar si afat për nisjen e protestave muajin dhjetor. “Nëse nuk do të bëhet asgjë për ligjet që flitet deri në muajin dhjetor, nëse ato që thuhen janë thjesht një tullumbace, ne do të nisim protestat masive”, - sqaron sekretari Organizativ i Shoqatës së ish-Ushtarakëve, Thoma Kanduri. Sipas këtij të fundit, qeveria nuk është në gjendje që t’i përgjigjet shkeljeve që ka bërë me ish-ushtarakët. Këtë ai e argumenton me faktin se janë shumë të drejta që atyre u takojnë sipas ligjit, por që i mohohen nga shteti. Pikërisht, kjo mospërputhje në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka krijuar një hendek të madh midis mënyrës ligjore se si duhet të trajtohet kjo kategori dhe asaj që trajtohet realisht. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton qartë se ish-ushtarakët duhet të trajtohen me pension sipas gradave.
Orvatjet
Por, megjithëse orvatjet e tyre për zbatimin e këtij ligji kanë qenë të shumta, deri tani kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët. Kërkesat e herëpashershme për të folur me titullarët konkretë, që kanë lidhje me zbatimin e ligjit për trajtimin e tyre me pension, kanë mbetur pa përgjigje. “I kemi dërguar disa herë letra zyrtare kryeministrit të vendit për një takim, por asnjëherë nuk na është përgjigjur”, - shprehet sekretari Organizativ i Shoqatës. Po këtë qëndrim, sipas ish-ushtarakëve, ka mbajtur edhe ministri i ri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i cili që nga koha kur ka ardhur në këtë post nuk ka pranuar asnjëherë që të takohet me përfaqësues të ish-ushtarakëve. Sipas ish-ushtarakëve, ky është një injorim i ndërgjegjshëm që atyre u bëhet pasi i cilësojnë si shoqatë politike të majtë. Ndërkohë që flitet për hartimin e një drafti të ri për trajtimin e tyre me pension, ky draft ende nuk i është dërguar kryesisë së Shoqatës së ish-Ushtarakëve, qoftë edhe vetëm për të parë se cilat nga kërkesat e tyre janë marrë parasysh. Madje, kryesia e kësaj shoqate bën të ditur se nuk janë pyetur nga dikasteret përkatëse për hartimin e draftit të ri.
Vendimi
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i ndan në dy kategori ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm për efekt të përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi: në ushtarakë që kanë dalë në pension deri në 29.4.2004 (data e hyrjes në fuqi e Ligjit Nr.2910, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”) dhe në ushtarakë që kanë dalë në pension pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji. Për të dyja këto kategori, ligji i ndryshuar, ashtu edhe ai i mëparshëm, u njeh të gjithë ushtarakëve të drejtën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50 për qind të pagës referuese, duke shtuar 2 për qind të kësaj page për çdo vit vjetërsie në shërbim mbi vjetërsinë prej 15 vjet për meshkujt e 12 vjet për femrat. Por përsa i përket maksimumit të kësaj pagese, ligji i ri bën ndryshime esenciale në raport me Ligjin Nr.9418, datë 20.5.2005. Ndërsa me ligjin e mëparshëm pagesa e pensionit shkonte deri në katërfishin e pensionit bazë në shkallë vendi, me ligjin e ri ulet pagesa e pensionit të parakohshëm për ushtarakët e dalë në pension deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit për statusin. Për këta ushtarakë, kjo pagesë shkon deri në masën e pensionit maksimal në shkallë vendi, e barabartë me dyfishin e pensionit bazë. Përsa u përket ushtarakëve të dalë në pension të parakohshëm pas hyrjes në fuqi të ligjit për statusin, maksimumi i pagesës jepet i diferencuar sipas gradës dhe shumë më i favorshëm nga ajo që u jepet ushtarakëve që kanë dalë në pension para ligjit për statusin. Sipas ligjit, periudha 1.10.1993-31.12.1998 u njihet ushtarakëve si periudhë sigurimi për efekt të pensionit të pleqërisë kur ata plotësojnë kushtet për këtë pension, duke i ndarë në dy kategori: në ushtarakë që kanë përfituar pension të parakohshëm ngaqë e kishin vjetërsinë si ushtarakë, të cilëve do t’u derdhet kontribut për aq vite sa u nevojiten për efekt të përfitimit të pensionit të plotë të pleqërisë dhe në ushtarakë që nuk kanë përfituar pension të parakohshëm ngaqë nuk e kishin vjetërsinë si ushtarakë, të cilëve kontributi në sigurimet shoqërore nuk u derdhet për gjithë periudhën 1993-1998, por vetëm për dy vjet për burrat dhe tre vjet për gratë.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Heq diferencimin që bënte vendimi i qeverisë për trajtimin financiar të ushtarakëve sipas kohës së lirimit, në përfitimin e pensioneve të parakohshme, duke i trajtuar ata në mënyrë të barabartë, sipas kontributit të secilit.
Ushtarakët në rezervë, në bazë të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, kanë të drejtën e dypunësimit, një e drejtë që u ishte mohuar.
Kur ushtarakët në rezervë mbushin moshën e pensionit të pleqërisë, nuk do t’u ulet masa e përfitimit financiar që përfitojnë.
Ushtarakëve që kanë dalë në rezervë nga 01.10.1993 deri më 31.12.1998 do t’u njihet pensioni mbi bazën e pagës referuese (kontributet e paderdhura, do të derdhen nga shteti) e jo sipas vendimit të qeverisë, që u jepte pensionin mbi pagën minimale.
Në bazë të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, përfitimet financiare për ushtarakët nuk fillojnë më 16 prill 2006, por nga 1 janari i vitit 2006.

Kushtet e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi
1. Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, që dalin në rezervë/lirim pas hyrjes në fuqi të Ligjit Nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, deri në plotësimin e kushteve për pension të plotë pleqërie, sipas Ligjit Nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësojnë vjetërsinë e shërbimit si ushtarak në masën 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt dhe kanë mbushur moshën 44 vjeç femrat dhe 47 vjeç meshkujt, në masën e përcaktuar në Nenin 14 të këtij ligji.
2. Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, që kanë dalë në rezervë/lirim nga data 1 janar 1991 deri në datën e hyrjes në fuqi të Ligjit Nr.9210, datë 23.3.2004, “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, pavarësisht nga momenti i lindjes së të drejtës për përfitimin e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, do të vazhdojnë ta përfitojnë këtë pension sipas Ligjit Nr. 8087, datë 13.3.1996, ”Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ të Shtetit”, të ndryshuar.

Ndërprerja e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi
Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbimin aktiv.
Në rast të punësimit të ushtarakut përfitues në sektorin publik, masa e përfitimit nga pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi do të jetë sa një pension bazë në shkallë vendi.
Në rast punësimi në vende të tjera pune gjatë kësaj periudhe, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të jetë deri në kompensimin e pagës, mbi të cilën është llogaritur kjo pagesë dhe jo më shumë se masa e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni, por në çdo rast jo më pak se masa e pensionit bazë në shkallë vendi.

14 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›