Yes, we can!

Jetojmë në një moment, kur krizat kombëtare duket se pasojnë njëra-tjetrën. Me dhembje ndjek sesi gabimet njerëzore me apo pa dashje, kushtojnë jetë njerëzish, jetë fëmijësh të pafajshëm… realiteti i dhimbshëm duket se e bën jetën të pasigurt!
Ndërkohë, amerikanët dhe e gjithë bota asistuan në një ndër shfaqjet më të denja të “demokracisë” dhe ndonëse përkon me cepin tjetër të botës, larg ku jetoj unë, nuk mund të jem tjetër, veçse shumë e lumtur për këtë.
Në një moment kur bursat po çmenden, po jetojnë një frustrim të pashoq dhe tregjet financiare të kredive një tërmet që ka shumë gjasa të zgjasë deri në vitin 2010, ne asistuam në një eveniment historik.
Ajo çfarë ne përjetuam, është një shembull i asaj çfarë demokracia duhet të jetë dhe jo ajo çfarë në fakt, në shumë vende të botës është shndërruar, më saktë një “phony democracy” me njerëz të korruptuar e ziliqarë, të cilët nuk njohin verdikt të popullit, të cilit hamendësojnë se po i shërbejnë, vlera apo morale, por vetëm shijen e pushtetit dhe të parasë!!! Kjo që ndodhi do të thotë shumë, më shumë sesa mund të duket e parë me sy të parë dhe ndoshta pak analitik. Këto zgjedhje siguruan fjalitë e tyre në histori, dhe jo vetëm në atë të Amerikës. Ishte shumë prekëse të dëgjoje fjalimin e Mekeinit pas shpalljes së fituesit, të parit afro-amerikan që së shpejti do të jetë banor i “White House”. Në këtë fushatë dhe zgjedhje, ajo çfarë më shumë të bën përshtypje, është standardi i lartë i demokracisë, e mahnitshme dhe reale.
Ne jemi mësuar që ditën pas zgjedhjeve të dëgjojmë sesi zgjedhjet nuk pranohen e kontestohen, sesi “humbësit” (që pavarësisht se kanë humbur, nuk e pranojnë kurrë një gjë të tillë për katër vjet legjislaturë me radhë), bërtasin e çirren dhe më vjen vërtet për të qeshur kur kujtoj fjalimet e tyre me shije të keqe, që i mbajnë rezervë të parapërgatitura për rastin e humbjes së zgjedhjeve. Ndonëse është një fakt grotesk dhe qesharak, është me të vërtetë edhe shumë i hidhur. Në Shqipëri e kemi të pamundur të pranojmë humbjen. Kjo, mendoj unë, duhet të lidhet në njëfarë mënyre edhe me të pandërgjegjshmen tonë, me vitet e “fëmijërisë”, ku si “baba” na bënte një diktator; jam e bindur që ka diçka që mbetet gjithnjë… Po, po tamam, është sikur një fëmijë i rritur në një familje ku problemet zgjidhen me biseda dhe shkëmbim idesh, të jetë shumë ndryshe me një fëmijë ku problemet zgjidhen, dhe më shumë nuk zgjidhen në fakt, me të bërtitura dhe terror. Ky i fundit, të dashur miq, është dhe do të jetë fëmijë, dhe më vonë i rritur, problematik… Fatkeqësisht “ne” vijmë nga një familje me probleme. E pranoj këtë dhe jemi akoma shumë të lidhur me të pandërgjegjshmen e “fëmijërisë” sonë.
Ishin zgjedhje historike dhe më vjen mirë për këtë. Më vjen mirë të shoh madhështinë dhe forcën e asaj që mbartin “free and democratic elections” - zgjedhje të lira e demokratike, të zbatuara realisht, pasi në fund të fundit ky është dhe themeli i demokracisë së një vendi, dhe kështu duhet të jetë.
Është mirë që ne të njihemi me standardet dhe të shikojmë sa larg jemi akoma dhe sa punë na pret, jo standarde të shkruara në libra, apo teori pafund, gjëra apriori pa baza, por diçka reale dhe të vërteta, të vërteta ashtu siç është i vërtetë ky diell i çuditshëm i këtij nëntori, ku temperaturat janë shumë larg normales…
E pra, është fakt, është një shembull që vetëm shteti i “ëndrrës së madhe” mund ta servirte si të tillë, nuk është thjesht teori apo iluzion, nuk është ëndërr, jo!
E dini çfarë me prek më tepër miq të dashur, sigurisht jo fitorja e të parit njeri me ngjyrë për në Shtëpinë e Bardhë, apo qenushi i premtuar që vajzat e President - Elect Obama fituan, apo gatishmëria e Veteranit të Luftës së Vietnamit për t’i shërbyer me vendosmëri dhe nder presidentit të ardhshëm dhe atdheut, atij presidenti që deri dje ishte kundërshtar politik deri në pikën e fundit të luftës politike (megjithëse edhe këto më prekin sinqerisht pafund), por ajo çfarë më prek më tepër, është se amerikanët votuan për “shpresën e ndryshimit” - hope to change, atë çfarë nënkuptonte kandidati demokrat për në Shtëpinë e Bardhë.
Një frymë e re do të jetë tashmë jo vetëm në Shtëpinë e Bardhë, jo vetëm në SHBA, por në të gjithë botën, pasi tashmë arbitri i marrëdhënieve ndërkombëtare ka ndryshuar dhe në fakt shumë pritet nga ky ndryshim dhe ja, loja ka filluar…
Fushata e gjatë dhe e bukur, e para në histori për nga lloji i saj, për nga komponentët, për nga forca e teknologjisë që u ndie shumë, për të cilën republikanë duhet të mundohen të shkurtojnë largësinë me demokratët, për nga batutat që solli, në fakt nuk është veçse fillimi. Ndryshimi duhet të vijë më pas dhe pritet të fillojë që nga ristrukturimi i asaj se çfarë është edhe kriza më e thellë ekonomike që nga Great Depression i 1929.
Dhe kur SHBA-të teshtijnë dhe e gjithë bota merr të ftohur, një rigjallërim i ekonomisë është mëse i dëshiruar, aq i dëshiruar sa edhe një barrierë e fuqishme, një “challenge” që pret tek dera e Shtëpisë së Bardhë presidentin e ri.
Kam dëgjuar shumë të flitet për zgjedhjet e fundit, jam dakord që janë historike për shumë arsye të përmendura, por mbi të gjitha duhen parë me syrin e asaj çfarë mund të mësohet nga politikanët tanë për problemet tona në vend, sepse ne këtu jetojmë dhe shpresojmë, luftojmë me jetën e përditshme dhe ëndërrojmë të ardhmen… Sepse, mesa kuptoj unë, zgjedhjet ishin atje dhe mbeten atje, ndërsa ne jemi këtu, në këtë “phony democracy”, që mezi mbahet në këmbë!
Jehona arriti në çdo cep të botës, kjo është e vërtetë, për nga madhështia e standardit të demokracisë, për nga madhështia e konceptit të “barazisë mes njerëzve”. Mungesa e diskriminimit racor është e mahnitshme: një senator afro-amerikan arrin të marrë zemrat amerikane dhe votat e tyre, kur vite më parë afro-amerikanët nuk kishin as të drejtën për të votuar!!! Kjo është forca e ndryshimit dhe e emancipimit që bëhet realitet nën principet dhe standardet amerikane të “demokracisë”.
Kjo është historia që shkruhet, ndërkohë që ne jetojmë jetën tonë të përditshme dhe nga kjo shumë duhet të mësojmë. Shpresoj që politikanët tanë të dashur t’i kenë vënë veshin kësaj që ndodhi para syve tanë dhe nesër të insistojnë për zgjedhje të drejta dhe të lira, që të punojnë sot, që njerëzit të kenë më shumë besim tek institucionet; të insistojnë që vlerësimi të bëhet në baze të meritokracisë në çdo instancë, në çdo vend pune, në çdo hap.
Korrupsioni, të dashur miq, luftohet duke filluar nga dera e shtëpisë e secilit politikan, sepse dashur pa dashur ne si popull tek politikanët i kemi besuar problemet tona, dhe shpresojmë që, kur ata bëjnë komente me llafollogjira të mëdha rreth zgjedhjeve në Amerikë, të jenë gjatë kësaj kohe duke mësuar dhe ndonjë gjë rreth demokracisë së vërtetë dhe vlerave që ajo mbart dhe që, zotërinj, duhet respektuar.
Ku është parë në botë që politikanët “kërcënojnë” me grevë urie për të arritur një objektiv politik, sepse ndihen të vegjël e të pambrojtuar?! E padëgjuar dhe e paparë që politikanë të tillë janë e ardhmja, që politikanë të tillë do të më duhet të votoj në zgjedhjet që po afrojnë, këta zotërinj nuk arrijnë të dalin nga kompleksitetet e tyre me mënyra të tjera më civile, më politike e diplomatike sesa një grevë urie. Dhe unë pres që ata të luftojnë korrupsionin në çdo nivel... apo diçka më shumë…
Nuk më pëlqen realiteti ynë, miq të dashur. Nuk më pëlqen të votoj për zgjedhje në të cilat vota ime merret nëpër këmbë dhe tallet, sepse kjo është ajo që ndodh. Nuk më pëlqejnë politikanët e mi të mjeruar dhe besoj nuk jam e vetmja që e mendoj kështu. Të paktën uroj të mos jem e vetmja, për të mirën tonë them!
Nuk është kjo ajo për të cilën luftuam në vitet ‘90, nuk mund të jenë këta politikanët që na përfaqësojnë ne! Nganjëherë më duket se janë ca alienë, jo të dalë nga populli, pasi se nga kanë ardhur, vetëm ata e dinë. Por nuk mund të jenë nga “ne”, sepse nuk i shoh të dëgjojnë zërin tonë apo të kuptojnë gjuhën tonë, nuk vë re një preokupim të sinqertë për atë çfarë aspirojmë ne si popull dhe çfarë shoh janë premtime se do të liberalizohen vizat (duket se nuk kanë qenë ndonjëherë në radhe për ndonjë vizë), për palestra të ristrukturuara (më duket gjithnjë e njëjta aty tek “Vasil Shanto”), apo për ndonjë pemë të mbjellë Zoti e di se ku, kur ne paguajmë edhe taksën e gjelbërimit. Po, po, e paguajmë.
Nuk ka popuj të këqij, të dashur miq, ka drejtues të këqij!
Nuk është kjo ajo çfarë presin shumë studentë, të cilët pasi mbarojnë shkollën, përballen me një treg pune të supermbushur dhe një kaos ku vetëm me CV personale harrojnë të gjesh pune, po të kesh edhe një “rekomandues” bashkë me CV-në edhe mundet.
Nuk është kjo ajo çfarë presim kur shkojmë në spital dhe dalim më të sëmurë seç ishim, nuk është ky sistemi arsimor që ne meritojmë, nuk janë këta politikanët që ne meritojmë…
Sapo m’u kujtua edhe një varg i bukur i Kadaresë së madh: “…u desh të zhdukeshin përbindëshat…”, po ndoshta do të duhet vërtet të zhduken, që “ne” të rifillojmë të besojmë tek përfaqësuesit tanë, tek shteti dhe tek e ardhmja. Do të duhet ndoshta një fryme e re, që beson tek vlerat e demokracisë si qeveria e popullit, nga populli dhe për popullin, që ne të rifillojmë të shpresojmë se një e ardhme më e mirë na pret.
Amerika e mori shansin e saj për të shpresuar në një ndryshim me anë të zgjedhjeve të lira e demokratike dhe të mos harrojmë se zgjedhjet duhet të na përkasin edhe neve, dhe vetëm neve. Zgjedhjet, të nderuar zotërinj, janë të shqiptarëve dhe për Shqipërinë dhe na përkasin neve dhe vendimi është i yni…
Shpresojmë të kemi dhe ne momentin tonë, sepse ne meritojmë një të ardhme dhe të tashme më të mirë, ne meritojmë më shumë se kaq… Të gjithë ne e meritojmë!
A do të mundemi të kemi të tashmen dhe të ardhmen që meritojmë?!
Thelbi i fushatës së Barak Obamës në fushatën e tij ishte “Yes, we can” - “Po, ne mundemi”. E atëherë, më vjen të them me forcë e me bindje, duke e besuar tërësisht këtë që them, se edhe ne mund të ndryshojmë… “Yes, we can”!