Playboy i trojeve tona, një komedi irlandeze në skenën e Metropolit
Kalendari artistik i Qendrës Kulturore Tirana vjen me një sërë projektesh për sezonin janar-qershor 2010Qendra Kulturore Tirana edhe këtë sezon ofron për publikun një program të pasur, i cili do të sjellë në skenën e Teatrit të Metropolit shfaqje premierë, por këtë sezon ato i takojnë komedisë. Nga drejtuesit e këtij institucioni bëhet e ditur se për publikun do të vijnë disa nga veprat më të njohura në skenat botërore, për ta bërë edhe më të larmishëm këtë sezon artistik. Veprat që do të vijnë në skenë mbajnë firmën e emrave të njohur të artit shqiptar,
duke garantuar për publikun vepra me vlera të larta artistike, të cilat do të sjellin në skenë emra të njohur aktorësh. Drejtuesit e këtij institucioni bëjnë të ditur se kalendari artistik i Qendrës Kulturore Tirana vjen me një sërë projektesh teatrore për fëmijë dhe të rritur për sezonin janar-qershor 2010. Gjatë vitit që lamë pas qendra Kulturore Tirana ka sjell një larmi aktivitetesh pran publikut kryeqytetas, duke bërë kështu një nga qendrat më të dashura me veprimtari artistike dhe kulturore. Teatri i Metropolit që muajin e fundit të vitit 2009 ka nisur provat për komedinë Playboy i trojeve tona premiera e së cilës do të jetë në fund të muajit shkurt 2010, e cila do të shfaqet në sallën Bodrum që përurohet me autorin irlandez John Millington Synge. Premiera e dytë e Teatrit të Metropolit pritet të jetë në muajin prill 2010 me komedinë "Testamenti i Ri" nga Sacha Guitry, e cila do të vihet në sallën e re Glob me kapacitet prej 300 vendesh. Salla Bodrum dhe salla Glob e çojnë në tre numrin e sallave të Teatrit të Metropolit. Në projektet ambicioze të këtij teatri priten premiera të tjera , ku drejtuesit shprehen se do të kenë bashkëpunime me regjisorë të huaj të teatrit Rumun, Francez etj, të cilët kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë pjesë e këtij teatri. Teatri i Metropolit për fëmijë i hap dyert në datat 16 dhe 17 Janar 2010 me dy shfaqje premierë : Në ballon e luleve përshtatur nga përralla Lulet e Idës së vogël e autorit H.K. Andersen dhe "Druvari i mirë" përshtatur nga përrallat e vëllezërve Grim. Mesjava do të sjellë këto shfaqje për kopshtet dhe fëmijët në nevojë. Cirku i Metropolit do të vazhdojë çdo të shtunë dhe të diel ora 11.00 dy shfaqjet premierë me rastin e 50 vjetorit të cirkut: Të kapërcesh ylberin dhe Qielli pikon yje. Në mesjavë për nxënësit e shkollave të kryeqytetit do të shfaqet një kombinim i të dyja shfaqjeve në oraret e kërkuara. Ansambli Folklorik Tirana dhe Banda e Qytetit pas ristrukturimit në përputhje me vizionin dhe strategjinë e re të kësaj qendre kulturore që çdo dite e më shumë po rrezaton energji dhe ambicie për të plotësuar kërkesat gjithmonë në rritje të spektatorin kryeqytetas, do të vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e të gjitha evenimenteve dhe festimeve në kryeqytet e më gjerë. Ndërkohë që vetëm disa ditë më parë në këtë institucion aktori Erdna Sojli me komedinë Drejt lirisë korri suksesin e tij të radhës në skenën teatrore. Drejt lirisë, e shkruar me një ironi të hollë tregon përpjekjet e shqiptarëve gjatë këtyre 20 viteve të fundit 20 viteve për të fituar lirinë. Çfarë është jeta jonë në këto vite tranzicioni. Film, telenovelë, apo përrallë? Teksti sjell në këtë vepër satiriko-komike një situatë me disa personazhe, të cilët kërkojnë të largohen jashtë vendit, peripecitë e tyre për tu pajisur me vizë, vështirësitë e udhëtimit, etj. Në mbërritjen në vendin e huaj shpaloset realiteti i ri, i ndryshëm nga të gjitha përfytyrimet e tyre, me të cilin ata duhet të përshtaten dhe të integrohen. Mosarritja e qëllimit i çon personazhet drejt kthimit në atdhe. Shkruar nga Erand Sojli, ky tekst heq paralele të rëndësishme me përrallën e kecave dhe ujkut, ku të mirët dhe të këqijtë janë të ndarë dhe të përcaktuar qartë që në fillim të shfaqjes. Kthimi në vendin e origjinës është një moment tjetër i vështirë, ku personazheve u duhet të përballen me riidentifikimin e personalitetit dhe rivendosjen e ekuilibrave në jetët e tyre. Materiali është interesant për publikun, sepse idetë vetëm vendosen dhe zhvillohen gjatë interpretimit nga Erand Sojli, ndërsa ka një ndërveprim me publikun, për të arritur qëllimin final, që mbetet argëtimi, nëpërmjet humorit dhe autoironisë. Secilit spektator i jepet një rol dhe ka një përshtatje edhe me sallën, e cila duke qenë tepër intime e bën akoma më të afërt këtë raport. Pjesa nis me shumë humor , mbarset dhe mbyllet me shumë emocion. Me fjalë të thjeshta thuhen të vërtetat e forta të jetës. Publiku merr gjatë 90 minutave atë mesazh që do ti jepnin qindra romane për tu lexuar. Sipas organizatorëve pjesa është e ndërtuar me shumë fantazi që të surprizon dhe në çdo moment e kap publikun në befasi. Organizatorët bëjnë të ditur se pas shfaqjes premierë në skenën e TM, më pas shfaqja Drejt lirisë do të udhëtojë në një turne nëpër Shqipëri.Nga Julia Vrapi