E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plazhet, shtohet klori në ujë



DURRES - Higjiena shton dozën e klorit në ato zona të plazhit, tubat e ujësjellësit të të cilave kalojnë pranë gropave septike. Kjo ndërmerret në kushtet kur Durrësi popullohet nga 500 mijë banorë dhe kur temperaturat kanë rrokur nivelin e 40 gradëve celcius. Në disa lagje periferike të qytetit është shtuar sasia e klorit për 100 litra ujë, por gjithsesi, duke respektuar rekomandimet e OBSH-së. Sipas të dhënave në këtë institucion, zonat e plazhit të Durrësit, në të cilën ka shumë gropa septike dhe kanale të pasistemuara, Shkozeti, ish-Këneta dhe lagjja nr.18 janë vatrat ku uji i pijshëm mbahet nën monitorim dhe klorifikim të vazhdueshëm, thuajse çdo ditë. Kjo pasi për shkak të dukurisë së kapilaritetit ekziston risku që mbeturinat fekale të gropave septike të bien në kontakt me tubacionet e amortizuara të ujit të pijshëm. Rritja e temperaturave në këtë stinë vere shton rrezikun e kontaminimit të ujit nga bakteret, kjo për faktin se Durrësi trefishon popullsinë. Për këtë është vendosur rritja me 0.1 për qind e klorit për 100 litra ujë, duke prekur kështu normën maksimale të lejuar nga OBSH-ja për dezinfektimin me klor. Mbipopullimi, mungesa e rrjetit kanalizues dhe bumi i ndërtimeve pa u kryer më parë instalimet dhe rrjeti i shkarkimeve e ka bërë mjaft të vështirë menaxhimin e qytetit në stinën e nxehtë. o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›