Plazhi i Durrësit, mbipopullohet nga pushuesit

Një qytezë më vete, është kthyer plazhi i Durrësit, i cili në këtë sezon turistik ka thithur një numër të lartë pushuesish, kryesisht nga Kosova, Maqedonia por dhe nga rrethet e ndryshme të vendit.
Plazhi ka jo vetëm jetën e tij të zakonshme të një sezoni turistik por dhe jetën e natës, e cila vazhdon deri në orët e para të mëngjesit. Problem mbetet trafiku i ngarkuar për faktin se në mbrëmje një pjesë e automjeteve i drejtohen qytetit të Durrësit, ndërkohë që pjesa tjetër shkon drejt plazheve të Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit.
Shqetësues mbetet fakti se në trotuaret e ngushtë të plazhit të Durrësit janë vendosur pika të shumta tregtimi, të cilat bllokojnë lëvizjen e këmbësorëve, kjo do të thotë më shumë rrezik për jetën e tyre, pasi një pjesë janë të detyruar të lëvizin në asfalt. Duke iu referuar statistikave rezulton se pjesa më e madhe e aksidenteve në këtë sezon ka ndodhur në rastet, kur këmbësorët kanë lëvizur në rrugët automobilistike.
Ndryshe nga sezonet e kaluara gjate ketij sezoni aktivitete kulturore dhe artistike po realizohen nga biznesi privat, por në disa raste duke shkelur normat dhe rregullin, përsa i përket ndotjes akustike. Muzika në tone të larta, deri në orët e para të mëngjesit është kthyer në një shqetësim për një pjesë të pushuesve në bregdetin e Durrësit.