E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdes gruaja më e vjetër në Evropë

Nga Express më 06 gusht 2011 në ora 16:06

Gruaja më e vjetër në Evropë, italiania Venera Picinato ka ndërruar jetë në moshën 114-vjeçare.

Disa media kohëve të fundit “kanë gjetur” edhe banore më të vjetra, ku për njërën grua thonë se ka rreth 130-vjet, kurse një indoneziane ka të paktën 159.

Sipas medieve botërore, deri më tash me 114-vjet gratë më të vjetra janë amerikania Bes Kuper dhe Çijono Hesegava nga Japonia.

Në fillim të këtij viti ka vdekur amerikania Junis Senborn, e cila sipas pohimeve të familjes së saj ka ndërruar jetë në moshën 116-vjeçare.

Para dy vjetësh në regjistrimin e popullsisë në Indonezi është regjistruar edhe Turinah, një grua nga Sumatra për të cilën atë kohë ishte shkruar se ka 157 vjet, kurse tash ka 159 vjet.

Zyrtarët indonezianë kanë thënë se duke pasur parasysh se vajza e kësaj gruaje ka 108 vjet, atëherë nuk ka dyshim se Turinah ka tash 159 vjet, ndonëse ajo nuk ka dokumente nga koha e lindjes për të konfirmuar moshën e saj.

Një televizion nga Gjeorgjia ka emituar në mars të vitit të kaluar xhirimin e një gruaje 130-vjeçare, derisa një vit më vonë në Kazakistan, gjatë regjistrimit zyrtar të popullsisë, rastësisht është zbuluar një grua për të cilën mendohet të ketë 130 vjet.

Në media ka të dhëna se nga 120-vjet kanë edhe një braziliane dhe një kubane.

Burrat më të vjetër në Tokë janë një amerikan dhe një japonez, të cilët kohë më parë kanë festuar datëlindjen e tyre të 114-të.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›