Plazhi i Kunes, destinacion i verës. Çmimet konkurruese dhe pastërtia po tërheqin vizitorë të shumtë

Nga një plazh i zgjedhur kryesisht nga banorët e zonës përreth, bregdeti i Kunes në Shëngjin është shndërruar në një destinacion të preferuar për pushuesit nga Kosova dhe emigrantët që rikthehen në atdhe.
Hapësirat e bollshme publike, pastërtia, siguria dhe qetësia janë disa nga arsyet pse kjo zonë njeh çdo vit rritje të ndjeshme të frekuentimit.
Pushuesit vlerësojnë mundësinë për të vendosur çadrën e tyre pa kosto, ose për të zgjedhur plazhet e menaxhuara nga bashkia me çmime të përballueshme.
Pylli me pisha që kufizon bregdetin ofron freski natyrale, duke e bërë zonën tërheqëse edhe për turistë të huaj që udhëtojnë me kamperë dhe qëndrojnë për disa ditë.
“Më vjen mirë shumë që ka marrë vendim qeveria për t’ua ofruar mundësinë të gjithë qytetarëve, si këtu, vendorëve, edhe atyre jashtë, për ta shfrytëzuar. Nuk po shoh shumë dallim prej atyre që janë private.“
“E vë çadrën ku të duash. Nuk të thotë kush ‘e ke vënë keq, më jep kaq e aq’.“
Zona e Kunës pastrohet çdo mbrëmje nga ekipet e shërbimeve pas largimit të pushuesve, ndërsa lidhja me Lezhën dhe superstradën bëhet përmes rrugës së re të ndërtuar dy vite më parë, që shmang trafikun e rënduar të sezonit.
/rtsh.al/