Pranga biznesmenit të ndërtimit, falsifikoi dokumente
Vasil Çunge ishte dënuar nga Gjykata e Tiranës me 3 muaj burg dhe 400 mijë lekë gjobë për një konflikt me një pallat
Tiranë Administratori i një firme ndërtimi është arrestuar ditën e djeshme, pasi është dënuar për falsifikim dokumentesh. Ai rezultonte i shpallur në kërkim që prej 1 viti, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 3 muaj burg dhe 400 000 lekë gjobë. Me anë të një njoftimi për shtyp, Policia e Tiranës bën të ditur se në pranga ka rënë Vasil Çunge, 62 vjeç, administrator i një shoqërie ndërtimi, i cili është akuzuar nga ortaku i tij. Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, që mban datën 5 maj 2010, mësohet se kallëzuesi A.M. është bashkëpronar i një banesë të ndodhur në rrugën ”Teli Ndini” në Tiranë. Në vitin 2004, ai është kontaktuar nga Vasil Çunge, administrator i shoqërisë “E......” sh.p.k me aktivitet në fushën e ndërtimit, i cili kishte planifikuar të ndërtonte një godine banimi në sipërfaqen ku shtrihej banesa e tij dhe e disa fqinjëve të tjerë. Pasi kanë biseduar lidhur me kushtet e shkëmbimit, palët nuk kanë rënë dakord për përqindjen e sipërfaqes së ndërtimit që do të përfitonte familja e A.M.. Çunge ka biseduar me familjet e tjera përreth, me të cilët ka rënë dakord. Në vitin 2005, shoqëria në fjalë ka filluar punimet për ndërtimin e godinës, duke bërë shembjen e disa banesave, me pronarët e të cilave kishte rënë dakord. Gjatë procesit të ndërtimit, A.M. ka konstatuar se gërmimi i themeleve ka ardhur fare pranë banesës së tij dhe për mosrespektimin e distancave ai është ankuar në Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik pranë Bashkisë Tiranë, duke kërkuar shpjegime për mosrespektimin e distancave. Nga ky inspektorat është mësuar se në dosjen e lejes së ndërtimit, ndodhej një deklaratë noteriale, sipas të cilës A.M. dhe trashëgimtarët e tjerë kanë rënë dakord për ndërtimin e një ndërtese shumëkatëshe, duke ardhur deri në kufirin e përbashkët. Për këtë deklaratë A.M. ka bërë kallëzim penal, duke pretenduar se nuk ishte nënshkruar prej tij dhe ai nuk kishte asnjë dijeni për të. Pas verifikimeve të kryera, rezultoi se ato firma ishin të falsifikuara. Në këto kushte, Gjykata vendosi dënimin me 3 muaj burg dhe 400 000 lekë gjobë për Vasil Çungen.