E Diel, 1 Nëntor 2026

Plegjiaturë në tezën e Doktoraturës, jep dorëheqjen presidenti Hungarez, Schmitt

02-04-2012 / Gazeta 55

Presidenti hungarez Pal Schmitt, ka dhënë dorëheqjen pas përfshirjes në një skandal ku u zbulua se kishte kopjuar tezën e tij të doktoraturës 20 vjet më parë.
Vendimin për dorëheqjen e njoftoi vetë presidenti në parlament. Më herët kreu i shtetit hungarez kishte zhvilluar një takim me kryeministrin Viktor Orban. Një universitet në Hungari i hoqi titullin e doktorit presidentit të vendit, Pal Schmitt, pasi gjeti se pjesë të rëndësishme të tezës ishin të kopjuara ose përbënin plagjiaturë. Universiteti “Semmelweis” i Budapestit udhëhoqi një hetim që konfirmoi skandalin e ngritur nga një gazetë e përditshme në muajin janar.
Rektori i universiteti lajmëroi se doktoratura është hequr si rrjedhojë e “shkeljes së normave shkencore”. Fillimisht Schmitt, roli i të cilit si president është kryesisht ceremonial, i hodhi poshtë akuzat. Një ish-kampion olimpik në skermë, Schmitt shkroi tezën e doktoraturës së tij në vitin 1992, duke u diplomuar pak kohë më pas nga Universiteti i Edukimit Fizik, pjesë e Universitetit "Semmelweis".
Një komitet vlerësoi se në dokumentin e paraqitur prej 215 faqesh, më shumë se 200 prej tyre tregonin “ngjashmëri të pjesshme” apo ishin direkt përkthime nga punime të tjera.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›