E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Demonstrata e 2 prillit, dëshmi e vokacionit perëndimor të Shkodrës

02-04-2012 / Gazeta 55

++ Kryetarja e Kuvendit: Me deklaratat e tij, Rama na kujton Nexhmije Hoxhën. Gramoz Ruçi dha urdhrin për vrasjen e 4 të rinjve në Shkodër

++ Shkodra përkujton masakrën e 2 prillit 1992 ku u vranë barbarisht 4 të rinjtë Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Bujar Bishanakut dhe Besnik Ceka

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli njëkohësisht Nënkryetare e Partisë Demokratike ishte sot në Shkodër, ku mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të demonstratës antikomuniste së 2 prillit 1991, e cila u shndërrua në një ngjarje tragjike, ku regjimi komunist ekzekutoi katër të rinjtë, sot “Dëshmorë të Demokracisë”, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu. Kryetarja e Kuvendit shprehu nderimin e thellë dhe përuljen përpara veprës së “Dëshmorëve të Demokracisë” për vokacionin e tyre të paepur për liri dhe demokraci, të cilët për këto vlera perëndimore sakrifikuan edhe jetën e tyre.
“Në këtë ditë, sigurisht qyteti i Shkodrës, pushteti lokal, nderon sot siç do vit, katër heronjtë e Shkodrës, të 2 prillit të 21 viteve më parë. Padyshim që në historinë e një vendi ka ngjarje historike të mëdha, por ka disa ngjarje të cilat shënojnë kthesa të rëndësishme në historinë e popullit dhe kombit. Sakrifica e katër djemve shkodranë të cilët u vranë përpara ish-komitetit të Partisë së Punës së asaj kohe ishte një gur i rëndësishëm mbi të cilët do të ngrihej dhe do të ndërtohej demokracia shqiptare. Ndaj dhe ne sot, të gjithë qytetarë të Shkodrës, deputetë të saj, përfaqësues të shoqatës së 2 prillit, familjarë, miq e shokë të djemve të vrarë të 2 prillit, nderojmë sot figurën e tyre”- tha Kryetarja e Kuvendit.
Kryetarja Jozefina Topalli tha se këto ngjarje duhet të shërbejnë si momente reflektimi pasi janë data të cilat kanë bërë kthesa të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Në këtë 21-vjetor, tha Kryetarja e Kuvendit, edhe në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë, kjo datë është padyshim data që ka shënuar kthesë të rëndësishme në historinë tonë, për pluralizmin dhe demokracinë që ne sot jetojmë.
“Është një moment në të cilin ne duhet të reflektojmë, aq më tepër kur mendon se qoftë edhe dje në një hartim të tij, ai që bën çdo ditë ciu-ciu në Twitter-in e tij, fliste për të përndjekurit, tamam siç fliste Nexhmije Hoxha 10 ditë më parë. Kjo të bën të mendosh se ata sa herë që bëjnë Re:Fressh kthehen 20 vite përpara. Gramoz Ruçi, thotë se nuk jam Gramoz Ruçi, Ministri i Brendshëm që urdhëroi ekzekutimin e këtyre katër të rinjve, 21 vite më parë. Edvin Rama thotë se nuk jam djali i Kristaq Ramës, i cili firmosi për varjen e poetit Avzi Nela, Fehmi Abdiu thotë se nuk jam ai që firmosi me dorën e tij ekzekutimin e Avzi Nelës dhe kështu me radhë të gjithë”- tha ajo.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›