Berisha: Heqja e moratoriumit për skafet do rikthente trafikun ilegal

Kryeministri rrëzon propozimin e PS: Vlora e skafo-republikës ka marrë fund, do shpallet gjiri më i bukur i Mesdheut
UPDATE- Kryeministri Sali Berisha hodhi poshtë sot amendamentin e Partisë Socialiste për moratoriumin e mjeteve motorike. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i qeverisë tha se propozimi i selisë rozë është i papranueshëm, pasi sipas tij, vënia në lëvizje e industrisë së skafeve do të ishte një rikthim i fuqishëm i flukseve të trafiqeve kriminale drejt bregut tjetër të Adriatikut.
“Duke shprehur respektin tim më të madh për këtë nismë e cila dëshmon qëndrimin e tyre luajal ndaj parlamentit më duhet të theksoj se kjo nismë është absolutisht e papranueshme. Për arsye se vë në lëvizje industrinë e skafeve dhe kjo do të ishte një rikthim i fuqishëm i flukseve të trafiqeve kriminale drejt bregut tjetër të Adriatikut. Goditje e pamerituar për Vlorën që do ta shpallnin qytetin më të bukur të Mesdheut. Vlora e skafo-republikës ka marrë fund. Më duhet të shpreh keqardhjen që kjo nismë nuk mund të pranohet”- u shpreh Berisha. Ndërsa i është referuar konkretisht kërkesës së PS-së se shfuqizimi i ligjit do të rriste numrin e turistëve në vend, kryeministri theksoi se turizmi edhe gjatë moratoriumit të skafeve ka pësuar rritje. “Rëndom përdoret argumenti se po na dëmton turizmin. Turizmi edhe gjatë kohës së ligjit ka pësuar rritje me 12 përqind dhe shfuqizimi i ligjit do të ishte një damkosje tjetër e pamerituar për Vlorën e cila po diskutohet nga një juri për tu shpallur gjiri më i bukur i Mesdheut, por ta nxijmë me skafe ne tani? Po jo mor zotëri”- ka theksuar Berisha, ndërsa ka shtuar se “ky ligj do të mbetet në arkiva si një ligj i papranueshëm”. Berisha përfundoi duke sqaruar se “kjo nismë nuk mund të miratohet, sepse zotimi ynë është luftë me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar”. Ligji do ndjekë procedurën e vet, por do mbetet nismë që nuk do të miratohet”- garantoi shefi i ekzekutivit.
Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike nisi me një minutë heshtje në nder të ish-kryetarit të këshillit të Qarkut të Korçës, Gëzim Demçolli i cili u nda nga jeta në moshën 54 vjeçare pasi vuante nga një sëmundje e pashërueshme.
Në rritje numri i turistëve që kalojnë pushimet në Shqipëri
Kryeministri Berisha informoi sot se të dhënave paraprake tregojnë për rritje të numrit të turistëve që do kalojnë pushimet në Shqipëri, të cilën e lidhi jo vetëm me bukuritë natyrore, por edhe me shërbimin e shkëlqyer, mikpritjen dhe me artikujt e botuar në mediat e huaja. Sipas tij, sezoni turistik i këtij viti do të jetë i shkëlqyer pasi ka një interes të madh botëror i cili është në rritje për të kaluar pushimet dhe për të vizituar Shqipërinë.
“Çdo ditë në mediat më serioze të fushës ka shkrime dhe përshkrime të bukurive të rralla, të shërbimeve të shkëlqyera, të mikpritjes së pashembullt, të pasurive të mëdha kulturore dhe historike që ofron Shqipëria. Gjithnjë e më shumë në epiqendër të mediave të interesuara për turizmin vijnë brigjet mahnitëse shqiptare, ujërat e Jonit, rërat e Adriatikut, por ky vit ka një specifikë se janë me dhjetëra e dhjetëra shkrime kushtuar Beratit, qytetit të kodikëve dhe kishave bizhu, të kanioneve dhe shërbimeve të mrekullueshme. Janë me dhjetëra shkrime për Alpet e Shqipërisë të cilat janë cilësuar nga mediat botërore si Himalajat e Europës, Bjeshkët e Namuna me të gjithë relievin e tyre me akullnajat e zbuluara kohët e fundit dhe një interes i veçantë për malet”- deklaroi Berisha.