Komuna e Mitrovicës miratoi buxhetin për vitin 2012
Pas shumë diskutimesh, me ç’rast u dhanë kryesisht vlerësime pozitive, por edhe u bën vërejtje dhe sugjerime parimore, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës me shumicë votash, aprovoi buxhetin e komunës për vitin 2012 dhe parashikimet për vitet 2013-2014.
Kryetari i komunës Avni Kastrati dhe drejtori i Drejtorisë për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim, Gani Shala, kanë sqaruar para këshilltarëve mënyrën e hartimit të buxhetit, procedurat e ndjekura të parapara me ligj dhe prioritetet në shpenzimin e mjeteve buxhetore. Ata kanë thënë se buxheti është paraparë të shpërndahet ashtu që të përmbush nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, dhe se për investimet kapitale do të ndahet shuma më e madhe e mjeteve. Për këtë arsye, ata dhe shumë këshilltarë e kanë quajtur buxhet zhvillimor e jo shpenzues.
Ndërkaq, drejtorët e drejtorive komunale, posaçërisht ai i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Rasim Veseli, ju kanë përgjigjur këshilltarëve në interesimet e tyre lidhur me projektet e propozuara për realizim për vitin 2012.
Këshilltarët e shumtë që morën pjesë në diskutim, kanë bërë propozime konkrete lidhur me disa projekte, duke kërkuar që disa sosh të lihen për një kohë tjetër dhe në vend të tyre të realizohen projektet për të cilat ata mendonin se janë më prioritare për realizim. Një numër i madh i këtyre propozimeve u aprovuan në mbledhje, ndërsa të tjerat mbeten që të parashihen për realizim në vitet në vijim.
Buxheti i aprovuar nga këshilltarët e që është buxheti më i madh deri tash i komunës, në vitin 2012 do të jetë 18.533.484,00 euro. Shuma e mjeteve të buxhetit të siguruara nga grandi qeveritar është 16.633.484,00 euro, kurse nga të hyrat vetjake është 1.900.000,00 euro.
Nga shuma e tërësishme e buxhetit prej 18.533.484,00 euro, për Administratën Komunale do të ndahen 7.338.185,00 euro, për Shëndetësinë primare 4.116.486,00 euro; për shëndetësinë sekondare 989.935,00 euro; për Arsimin fillor dhe të mesëm 8,064,621.00 euro. Ndërkaq, për investime kapitale gjatë vitit 2012, nga buxheti i lartë përmendur janë paraparë të shpenzohen gjithsej 4.774.100 euro, prej të cilave 3.587.396 euro nga grandi qeveritar dhe 1.186.704 uro nga të hyra vetjake.
Nga shuma e tërësishme mjeteve për investime kapitale, 2.457.941 euro do të shpenzohen për shërbime publike dhe infrastrukturë.
Në këtë mbledhje, këshilltarët u njoftuan se Komisioni Statutar në mbledhjen e mbajtur më 8.07.2011, pasi i ka shqyrtuar rekomandimet dhe sugjerimet që kanë dalur nga debate publik i organizuar lidhur me ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Komunës, i ka propozuar që të miratohen ndryshimet dhe plotësimet e arsyeshme dhe me vend, të bëra gjatë debatit publik.
Anëtarët e Kuvendit të Komunës pasi bënë sugjerimet e tyre dhe dhanë disa vërejtje, aprovuan ndryshimet e propozuara në Statutin e Komunës. Tani e tutje Kuvendi i Komunës do të ketë 14 drejtori komunale, në vend të 11 sa ishin më parë. /kp/