Pllakati i 100-vjetorit
Në konkursin e shpallur nga Galeria Kombëtare e Arteve (GKA), në Tiranë, juria profesionale ka përzgjedhur tre punimet më të mira, të cilat pastaj i janë propozuar Komisionit për kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe Këshillit të Ministrave, të cilët vendosën që të tre pllakatet të përdorën për raste të veçanta. Ndërkohë, juria e GKA njoftoi Gollopenin se pllakati i tij promovues u vlerësua me çmimin e parë.
Ndryshe, sipas jurisë, pllakati i Gollopenit përmban energjinë, qëndresën dhe dinamikën rinore të kombit, atmosferën festive, elementin etnografik, elementin e flakadanit të lirisë (në shenjë kujtimi për brezat që dhanë kontributin e tyre në kohë), elementin e optimizmit dhe të ardhmërisë së ndritur të kombit.
Valëvitjet e ngjyrës së kuqe krijojnë atmosferën festive, duke asociuar në valëvitjen e flamujve në qytet. Elementi i shqiponjës ndërkaq shfaq karakterin e krenarisë kombëtare, por edhe asocion në figurën e një të riu që feston, duke mbajtur mbi supe krah hapur flamurin kombëtar. Sipërfaqja e bardhë asocion në flakadanin e lirisë. Në tërësi pllakati ka një harmoni kompozicionale dhe të ngjyrave, të cilat janë artikuluar dhe familjarizuar mirë me logon e kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë.
Pllakati është i thjeshtë, i bukur, dhe me porosi të qartë për publikun, por edhe shumë praktik për t’u realizuar në shtyp në dimensione të vogla e të mëdha.